Montag, 23. Juli 2012

Grigor Jovani: “Mesazhe me mall...”



SI KRIJOHEN DETERAT

Më thua: “Ç’i do anijet?
Mungojnë detërat...”

Dhe unë të them: “T’i bëjmë!
Fillojmë nga erërat...”

ISHULLI

Këtu,
lejlekët kam miq,
dallgët mikesha.

Sikur të mos ishin
njerëzit –
parajsa që desha.

VIZATIME NE TERR

Shpalos telaron e zezë të natës,
ngjyej penelin
në terr.

Zhgaravis yjet, shëmtoj hënën.
Përfundimi:
beter!

Ke parë ti! Këto vizatime
më sjellin para
dhe nder!
 




 HENE DHE DIELL

Hëna,
kësaj nate ngjan e dëshpëruar.

Janë çastet,
kur përkëdhel flokët e së dashurës,
kurse ajo
një diell është duke kërkuar.
 
 

 VJERSHA ME E BUKUR (L.)

Të kam zili! Syzet më vure!
Shkruajtur në fytyrë,
një kryevepër prure.
 
 
 

 NE FUND TE FUNDIT

Në kanalet e ujërave të zeza,
peshkoj
sa herë.

Në qofshin vargje,
ata që më lexojnë,
mbajnë erë.
 
 
 
 

 TE ÇMENDURIT

Ngaqë flamurin
e ngrejnë çdo mëngjes
me nderime solemne
tradhtarët,
mashtruesit,
hajdutët
me gjakun e kombit dendur,
e panë të udhës
ta ulnin një ditë,
disa që i quajtën
“të çmendur”.

Kurse ata e lanë,
e thanë,
e palosën,
e fshehën në një sepet të vjetër.

Ta ruanin të pastër,
për një kohë tjetër.
 
 
 
 

 AKUARIUMI

Miq hipokritë! Që më mëshironi,
kur më shikoni
burgosur mes vargjesh,
si një peshakaqen
brenda një akuariumi,
kështu më vjen, të thej xhamet,
t’ju shqyej buzëqeshjet,
mos t’iu zerë kurrë gjumi!
 
 
 
 

 MESAZHE ME MALL

Pas kaq e kaq vjetësh,
dërgove mesazh:
“Pashë një libër vjershash,
Kishte emrin tënd.
Dhe ndjeva maraz...”

Ishte kaq e bukur,
ç’ka kishim dikur...
Ndjeva mall dhe gaz.

Do ktheja, se s’bën,
mesazh të malluar,
nëse s’më pengonin
prangat nëpër duar.
 
 
 
 

 ALIBI

Trupi Gjykues më shpalli të pafajshëm.
Paskësaj,
Organet e Rendit e ndaluan ndjekjen.

Kisha alibi që s’kundërshtohej:
vdekjen!
 
 
 
 

 SYTE E MI

Plagë të pashëruara sytë.
Kur i hap: verbohem!
Kur i mbyll: shërohem!

 GRIGOR JOVANI

(E djela e fundit e korrikut,
Shën Teodori, 22.7. 2012)

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen