Donnerstag, 1. August 2013

Abetarja e Zymit

 
Nga Frrok Kristaj
 
ABETARJA, MREKULLIA E SHTATË E ZYMIT

Fshati Zym, vendosur në shtatë kodra si qyteti i famshëm i Romës, mund të numërojë shtatë mrekullitë e veta kulturore: më së pari, përmenden zymjanë në Betejën e Kosovës qysh më 1389; së
dyti, një ndër hipotezat mbi origjinën e Skënderbeut, thotë se ai ishte nga Hasi i Thatë; së treti, nga Zymi ishin mirëfilli Pal Hasi dhe dinastia Bogdani (Ndre, Pjetër, Gjon e Lukë Bogdani); së katërti, aty kanë shërbyer: Mëhill Suma, Lazër Lumëzi, Ndue Bytyçi, Pjetër Mazrreku etj dhe ndër më të shquarit, ipeshkvi dhe shkrimtari nga Gjakova, Gjon Nikollë Kazazi që kishte zbuluar në Romë “Mesharin” e Buzukut; së pesti, në Zym të Hasit ka qenë strehuar Ipeshkvia Shkup-Prizren (1702-1752), kohë kur u ajo përfaqësuan në Kuvendin e Arbërit (Mërqi, 1703) nga ipeshkvi Pjetër Karagiqi dhe dy zymjanë; së gjashti, Gjeçovi i Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe, së shtati, “Abetarja e Zymit”. Kjo e fundit, “Abetarja e Zymit”, zbuluar më 13 tetor 2007 nga i ngarkuari i Zyrës së Shqipërisë në Prishtinë, zotëri Arben Çejku dhe veprimtari ynë Nikollë Kërhanaj, është si një fill vazhdimësie që unifikon kohërat dhe të shtatë mrekullitë e Zymit.
“Abetarja e Zymit (20 maj 1900)” u gjet në Arkivin Qendror të Republikës së Shqipërisë: nën siuglën F. 65, D. 163, Koleksioni i fondeve personale para vitit 1912, Jak Speci, që ka 80 faqe, por i mungojnë kopertinat.
Zymjanët kanë shkruar herë pas here për Abetarën e tyre, duke marrë pjesë në simpoziume shkencore, si në Zagreb (Kroaci, 2008), Prishtinë (2010) dhe Zym (29 maj 2010). Sot Abetarja e tyre po botohet falë donatoreve: Bibë Zef Lekajt, Dedë dhe Frrok Z. Kryeziu, që punojnë në Kroaci dhe të një zymjani tjetër që dëshiron të mbetet anonim, të cilët i falënderoj përzemërsisht. Unë falënderoj, gjithashtu, për angazhimin e tyre në realizimin e këtij projekti: Dr. don Nikë Ukgjinin, Prof. dr. Nevila Nikën, drejtore e Arkivit Qendror të Shqipërisë, veprimtarët e Zymit Frrok Kristajn, Nikollë Kërhanajn e Atë Ndue Kajtazin, si dhe Arsim Kërhanajn (drejtor i ShF “Shtjefën Gjeçovi” në Zym) e shumë zymjanë të tjerë. Falë këtyre “Abetaria e Zymit” (20 maj 1900) sot është në duart e të gjithëve juve në mënyrë që të dëshmojmë fillin kulturor që lidh të shtatë kodrat e Zymit me të gjithë trojeve shqiptare.
Botimi i këtij dorëshkrimi është, pa dyshim, shprehje falënderimi për klerikët e palodhur që kontribuuan për gjuhën dhe kulturën shqipe në kushtet më të pafavorshme që gjendej populli shqiptar; është një burim më shumë kundër të gjitha orvatjeve të albanofobëve që kërkojnë të japin një pamje të gabuar rreth përpjekjeve dhe luftës së klerikëve shqiptarë, duke kërkuar që të zbehin dhe minimizojnë luftën e këtyre klerikëve për konsolidimin e popullit shqiptar mes popujve të tjerë evropianë. Ky botim pasuron edhe më shumë bibliotekën e studiuesve shqiptarë për të njohur më mirë zhvillimin e gjuhës shqipe dhe alfabeteve të saj.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen