Sonntag, 1. September 2013

Hamit Taka: Miqesia


MIQESIA
-tregim-

Ai u afrua te stoli dhe, pa nguruar, u ul pranë meje me një mospërfillje të padurueshme. U tregua aq i pandjeshëm ndaj meje, sikur të isha një bust prej guri. Në të vërtetë, atë çast, ai dukej i pandjeshëm edhe ndaj vetes. Sikur nuk ekzistonte në botën tonë, sikur po vinte nga një botë tjetër. Nuk u ndjeva rehat. Kisha dalë për t’u qetësuar pas 3-4 orë pune raskapitëse. Më tepër më lodhën pyetjet pa kuptim e pa mbarim të hetuesit. I hetuari nuk i kuptonte apo bënte sikur nuk i kuptonte mirë përkthimet e mia. Ishte një tension psikologjik i pazakonshëm në punën time si përkthyes. Prandaj zgjodha cepin e atij stoli në këndin e asaj lulishteje. Dëshiroja të isha vetëm me veten. Sa i pagdhendur, mendova për bashkëdënjësin. Burrë i rruar e i krruar, i qethur dhe i krehur, i veshur pastër me kostum e kullaro, simpatik e serioz, nuk i lashë asnjë mbresë atij mospërfillësi të pakëndshëm. Të paktën një salutim me kokë e meritoja. Por nuk zgjati shumë zemërimi im. E mundi kureshtja dhe një ndjenjë limonite, që na bën sentimentalë. Bile u ndjeva disi i penduar që më sunduan mbresat e çastit. Njeriu mund të kishte një hall, që e kishte zhytur në humnerën e botës së brendëshme të tij, një dert, që i kishte vënë gardh botës rreth tij. -E pini cigaren?- iu drejtova, duke hedhur urën më të lehtë të kominikimit midis dy burrave të panjohur. Duke e pyetur, i vëzhgova edhe profilin. E kishte të lodhur, të vrarë nga jeta, por simpatik. Bile mund të thosha, të bukur. Por përsëri më bezdisi, gati më revoltoi me mospërfilljen e tij. -Ë, urdhëro, si thatë? –më pyeti pas pak çastesh, sikur ishte përgjumësh, duke më treguar edhe ballorin e tij, që m’u duk edhe më simpatik se profili. Bënte pak konrast me harmoninë e linjave hunda majuce, sa mund ta quaje hundë mistrece, sikur donte të prishte rregullën. Nuk di pse m’u ngulit në kujtesë ai portret. Të mos themë edhe në zemër. Ia përsërita me mirësjellje pyetjen. -E pi,-m’u përgjigj, duke nxjerrë një paketë “Partizani” nga xhepi i xhupit prej meshini ngjyrë kafe, që, nga lera, tregonte se punonte mekanizator. E hapi paketën, e kontrolloi me vëmendje, sikur cigarja të ishte një gjilpërë e ngecur në ndonjë qoshe të kutisë prej kartoni. E bëri shuk dhe e flaku tutje, te rrënjët e një shkurreje dekorative. Pastaj u ngrit, e mori dhe e hodhi në një kuti llamarine me mbishkrimin “Ju lutemi hidhni këtu mbeturinat”. U kthye prapë në cepin e stolit edhe më indiferent se më parë. I zgjata paketën “Diamanti”. -Ndize, -i thashë. Në fytyrën e tij ndriti një shkëndijë mirëkuptimi, që e bëri edhe më simpatike. Më vështroi me vëmendje dhe zgjati dorën. E mori cigaren, e ndezi me çakmakun tim dhe më falënderoi me një temena tradicionale të duhanpirësve. Mënyra si e vështroi paketën “Diamanti”, m’u duk se më vlerësoi si një bir të Mirëqënies. E thithte cigaren i babëzitur. Dukej se kishte orë pa e ndezur. Pastaj u kthye befas nga unë dhe më pyeti: -Me se merrej, more shok? -Me gjuhë të huaja,- iu përgjigja. -Ah, me gjuhë të huaja,- tha si i mbresuar, por edhe me një farë nostalgjie. -Jam mësues në gjimnaz, -i shpjegova. -Punoj edhe jashtë orarit si përkthyes në turizëm. Rrallë më thërrasin edhe këta të Degës(Dega e Punëve të Brendëshme s’ishte as 30 metra larg), kur ndonjë i huaj shkel rregullat e regjimit kufitar. Picërroi sytë dhe m’u duk se u ndie ngushtë. Kushedi çfarë mendoi. E di se njerëzit e Degës së Punëve të Brendëshme ngjallin një farë paniku te njerëzit e thjeshtë. Por ai fiku cigaren, e shkeli me këmbë dhe u kthye sërish me ballor nga unë. -Më the se punon edhe me këta të Degës?-pyeti. -Rrallë herë, shumë rrallë. Thjesht si përkthyes. Jo ndonjë gjë tjetër.
U tërhoq nga biseda. Nuk kuptova, u lehtësua që unë s’kisha ndonjë detyrë të rëndësishme apo dëshironte ta kisha diçka të tillë.
-Në më lejoni t’ju pys,-i thashë, -nga ju kemi?
-Nga Ballëdrerasi, në se e dini. Eshtë thellë në kufi.
-Ke ardhur për ndonjë punë në qytet?-ia ngava bisedën.
-Sigurisht, një punë e kam. Për qejf s’vjen njeri nga fshati këtu,- Heshti pak dhe, i dyzuar, vazhdoi bisedën.
-Kam ardhur për atje ku shërben ti si përkthyes.
-Ta shpjegova, -ia preva fjalën. Ndodh shumë rrallë. Kryesisht në stinën e verës, kur ndonjë turist i huaj, i ardhur në vendin fqinj, gjatë shetitjeve me jaht, kalon padashur kufirin detar.
-Të kuptoj. Të kuptoj, -tha dhe heshti.
-Të ndërpreva. Vazhdoje bisedën, -e nguca unë sërish.
-Kot, -thash, -ashtu kot. Desha të takoja njërin, por nuk është atje.
-Kë deshe, se mund t’ju ndihmoj unë,-nxitova ta pyesja i papërmbajtur nga kureshtja.
-Nënkryetarin, shokun Bedo. Po nuk ishte brenda dhe akoma s’është kthyer,-më shpjegoi.
I dija përgjigjet e shefave: nuk është brenda, ka dalë jashtë. Nuk ndodhet sot këtu, ka dalë jashtë qytetit e tjera, e tjera. Ai heshti përsëri dhe fare papritur, sikur donte të shkarkohej nga një brengë apo donte të kapej pas një fije shprese, më tha:
-Kam djalin atje brenda, -dhe tregoi me kokë nga godina e Degës.-Ka tri ditë. Nuk e di ha gjë a nuk ha, ka ujë të pijë a nuk ka. Flë apo nuk flë. Desha të merrja vesh diçka nga goja e shokut Bedo, që e kam bashkëfshatar.
-Sigurisht që edhe ha edhe pi edhe flë,- thashë me një ton të prerë e gati zyrtar, pë t’u distancuar disi nga njeriu i panjohur, aq më tepër që tha se e kishte fshatar shokun Bedo. E dija se shoku Bedo ishte në zyrën e tij, domethënë nuk kishte dashur ta priste, gjë që më bëri të pendohesha për intimitetin me të posanjohurin. Ai më vështroi ngultas, tërë mosbesim, me një far krenarie.
-Po, po, e di edhe unë, por ashtu fola kot, më shumë për t’i dhënë kuptim kërkesës sime për shokun Bedo-tha dhe u nis të ikte.
-Prit, ku shkon? Mbase të ndihmoj sado pak,-i thashë dhe e kapa për krahu.
-Në punën time shkoj, -m’u përgjigj dhe ma hoqi krahun vrullshëm. Por unë ia kapa prapë. Nuk e di pse u lidha aq shumë me atë njeri të panjohur. Mbase u lidha më shumë me brengën e tij, e cila lexohej qartë në fytyrën simpatike. Apo kureshtja është aq e fuqishme tek ne sa na mbërthen e nuk na lëshon edhe kur rrezikojmë? U ndjeva fajtor ndaj tij. E frikësova me fjalët e mia dhe mund të më ketë marrë për dikë tjetër, që bëj shërbime të tjera dhe jo thjesht një mësues frëngjishteje, që shkoj dy tri herë në muaj apo në vit në Degën e Punëve të Brendshme, për të përkthyer pesë fjalë të një të panjohuri të huaj. Sidoqoftë me shokun Bedo kisha mardhënie konfidenciale dhe mund t’ia bëja një kërkesë, duke u shtirur se nuk e dija që ishin bashkëfshatarë.
-Prit, mos u ngut. E njoh mirë shokun Bedo dhe mund t’ju ndihmoj për ta takuar, -i thashë gati duke iu lutur.
-Shokun Bedo e njoh më mirë se ju, por ai kishte dalë jashtë dhe nuk është kthyer akoma. Kam që në orën tetë që e pres këtu dhe s’besoj të kthehet më. Kushedi se ç’shërbim i ka dalë, -m’u përgjigj. Fjalët e tij “e njoh më mirë se ju” prapë më qesëndisën dhe më vunë në dyshime.
-Ku e ke njohur shokun Bedo, si e ke njohur?- e pyeta. Ai qeshi.
-Pyetje e çuditshme, - e filloi përgjigjen.-A nuk të thashë se e kam bashkëfshatar, o shok. Edhe bashkëmoshatar, bashkshkollar, bile edhe bashkëbankar.
-Si ishte shoku Bedo në mësime? –e pyeta gati instinktivisht. Shprehi mësuesi. -Mirë ishte, mirë.Detyrat zakonisht nga unë i merrte. Edhe hartimet unë ia bëja. –Këtu e ndërpreu fjalën sikur kishte shkelur në dërrasë të kalbur. Nga ato fjalë u ndjeva ngushtë, se në tonin e tij dukej edhe një farë ironie për shokun Bedo.
-Domethënë ke qënë nxënës i mirë në shkollë, -e rinisa bisedën se s’dija si të vazhdoja. Me një herë mendova se mbase nxitova që i premtova. Mund të ishte nga ata me probleme, deri sa ishte aq afër me shokun Bedo dhe ai s’e kishte pritur, duke përdorur atë përgjigjen klishe: ka dalë jashtë. S’është kthyer akoma. Mund të vija në dyshim personalitetin tim, konsekuencën time në zhvillimin e drejtë të luftës së klasave dhe mund të mos thirresha më si përkthyes. Kjo do të ishte një lëkundje e madhe për mua. Ajo pak punë vullnetare në këtë organ të sigurisë së shtetit më rriste ca centimetra në sytë e publikut dhe nuk është se nuk më krijonte ca privilegje. Të paktën, me një copë kartë, të quajtur “Leje hyrjeje”, hyja e dilja si në shtëpinë time në ato dyer që s’hynte dot çdokush. Kisha para shkollimin e fëmijëve. Djali po përgatitej për shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendëshme… Me sa dukej isha prishur në fytyrë dhe burri përballë, që më hetonte syunjur, inteligjent dhe simpatik, ndërhyri disi brutalisht:
-Mos u frikëso, o shok. Nuk e kam aq të keqe biografinë. Edhe shkollën s’e kam marrë se nuk deshi fshati. Një gjysh kam patur në Amerikë, emigrant që nga 1920-ta. Nga kjo s’na kishte rënë njeri në qafë. Edhe ca dhurata që na dërgonte, na i jepnin. Tani vetëm varri i ka mbetur gjyshit në Çikago.
Kuptova se ishte qejfmbetur, që nuk kishte fituar të drejtën e shkollës së lartë. Dhe e konsideronte si pasojë e atij gjyshit në Amerikë. Dyshimet e mia po thelloheshin. Sipas fjalëve të tij në shkollë kishte qënë më i suksesshëm se shoku Bedo. Por shoku Bedo kishte vazhduar për mësues historie. Më vonë kishte kaluar si punonjës i Ministrisë së Punëve të Brendëshme. Desha të çohesha, Por kureshtja dhe simpati ngjitëse e tij më mbante të gozhduar pranë tij
-Po më vonë nuk e kërkove të drejtën e studimit? -ia mora fjalën.
-Aha, i riu si veriu! Isha lidhur me një shoqe të klasës që në vitin e dytë të gjimnazit. E doja shumë dhe më donte. Të mos mërzitesha, u martuam. U bëmë njësh dhe nuk e ndiem. Me njeriun që e do gëzimi shumëzohet, mërzia pjestohet. Bëra edhe ushtrinë, kur u ktheva, e gjeta djalin dy vjeç. S’isha më për shkollë unë. Kisha halle më tej…
Ah, mendova, kujtimet e bukura të gjallërojnë. Ai burrë aq i shqetësuar, filloi të përndritej. Po aq filloi të më përforcohej edhe simpatia fizike për të. Kushedi ç’yll kishte qënë në rini. Edhe atë vajzën shumë të bukur duhet ta ketë pasur. Dhe më vetëtiu në mëndje, mos kishte qënë shkak ajo vajza apo shkolla për ndonjë mëri të shokut Bedo me bashkëfshatarin, bashkëmoshatarin, bashkëshkollarin dhe bashkëbankarin e tij. Nuk m’u durua pa e pyetur:
-Po djali me se merret?
-Eshtë në stazh. Para një viti mbarpoi maturën.
-Si ishte ai me mësime? A të ngjan ty?
-Oh, më ngjan ca. Duket shumë i zgjuar, por mësimeve ua vari ca. Aq sa more ti shkollë do të marr unë, më thotë. Me gjithë atë mesataren e ka të lartë. Në provime shumë mirë ka dalë. Gjuhët e huaja i ka qejf. Përpiqet me libra dhe me radio. Por tani, me sa duket, e vulosi…Tani do t’më falësh, e ndërpreu tregimin befas, se më vajti ora e autobuzit. S’kam prerë as biletë. Një fjalë e shokut Bedo, mendova, dhe bileta ishte e prerë…
-Do të ikësh pa takuar shokun Bedo, pa marrë vesh gjë për djalin? Ke ardhur nga ana e anës, je lodhur, ke humbur ditën e punës, -i thashë me nxitim dhe m’u dhimbs, sa desha ta kapja nga krahu dhe t’i thoshja: Do të çoj unë te shoku Bedo. Mos u largo pa marrë vesh diçka nga shoku bedo apo ndonjë punonjës tjetër…
-E mora vesh pak a shumë punën e djalit… Por, ty, shumë falemindeirt. Je njeri i mirë dhe i shkolluar. Të ka lezet fjala, -E mbylli bisedën, disi prekëse për mua, më ngjatjetoi pa ma dhënë dorën dhe iku nxitimthi tek autobuzi i linjës. Më brente kureshtja të mësoja për këtë burrë, për djalin e tij dhe për mardhëniet e shokut Bedo me bashkëfshatarin e tij. Por, pas largimit të tij, ca drithërima dhe një akullsirë ma përshkoi trupin. Kisha qëndruar gjatë me atë njeri, me siguri i vëzhguar, pa e ditur se ç’ akuzë rëndonte mbi djalin e tij, që mund të të bënte pis të nesërmen e tërë familjes. Tani duhej të fillonte problemi im. Më dukej se nga pamaturia, siç thuhej rëndom, mungesa e vigjilencës, të cilën shoku Bedo e konsideronte si një saksion moral të ligjit, mund të kisha qëndruar pranë një njeriu me lebrozë. Hallka e parë e problemit ishte takimi me shokun Bedo. Hallka e dytë ishte si do të futesha në këtë temë aq delikate, si do t’ia hapja bisedën.
Duke ikur për në shtëpi, u çlirova disi nga emocionet e komunikimit me të panjohurin dhe fillova të vija rregull në mendimet e mia. Isha pleksur pa arsye në një bela të papërcaktuar. Mund të ishte pa pasoja, por edhe mund të merrte drejtime të papëlqyeshme. M’u duk se librat dhe gazetat që mbaja në duar peshonin aq shumë sa mund të më binin nga çasti në çast dhe në vend të tyre mund të ngjitej një çelës hidrauliku apo një kazmë. Por si balancë dy krahëshe, mendimet e mia kalonin sa te pasojat, po aq edhe te mardhëniet e shokut Bedo me bashkëfshatarin e tij. Bile një merak i pashpjegueshëm më grryente përbrenda: A mund të ndërhynte shoku Bedo për atë djalin e bashkëfshatarit të tij. Si do të vente puna e tij? A do të mundëte ndonjë herë ai djalë inteligjent, sipas të atit, të vazhdonte universitetin?...

* * * * * *
Në mbrëmje dola herët me bashkëshorten në shetitoren buzë detit. Verës, ashtu quhet gruaja ime, i dukesha shumë enigmatik atë mbrëmje aq transparente, duke vozitur në atë lumë njerëzish, veshur me rrobat më të mira. Ajo ishte e bindur se diçka i fshihja. Doja t’i shpjegoja se thjesht isha i lodhur dhe shetitja do t’më freskontë e gjallëronte disi nervat e tendosura nga puna me shumë përgjegjësi e asaj dite. Por, realisht, unë prisja atë, shokun Bedo, me një padurim dhe kërshëri të pazakonshme. Ai dinte gjithçka për atë djalin e mbyllur në birucë prej tri ditësh. Ai mund të më njoftonte për bashkëfolësin e çuditshëm te lulishtja e qytetit. Puna ishte si ta fusja në ato labirinte. Sido që kishim mardhënie shumë të mira, ndonjë here shoku Bedo u shmangej me elegancë disa bisedave.
Në shëtitoren buzë detit ishte e pamundur të mos e takoje atë që dëshiroje. Për rreth dy orë: 8.30-10.30, atje zbrisnin gjithë nëpunësit e instituticioneve me familjet, me kolegët apo miqtë e tyre. Bedoja ishte i përpiktë në ritualin e përditshëm, veçse kur ishte jashtë qytetit. Imeshoqe shkonte shumë me gruan e tij, shoqen Meliha, jo me ndonjë shkollë kushedi, por që drejtonte sektorin e tregëtisë së rrethit. Ndërsa vajza dhe djali shumë rrallë dilnin me prindërit. Në përgjithësi shoku Bedo priste kryetarin, por ai ishte tip që nuk i kishte qejf “lëvizjet boshe”. Pas kryetarit parapëlqente të dilte me operativat e zonave. Ama, sa herë takoheshim, gratë tona gërshetonin duart rreth belit, ndërsa shoku Bedo më hidhte krahun, ndahej me mirësjellje nga shoqëria e tij dhe i drejtoheshim hotel-turizmit. Pinim ndonjë raki, ndonjë konjak, ndonjë birrë, shumë rrallë ndonjë uiski, që ia kishte sjellë dikush nga jashtë dhe shoku Bedo e binte në një faqore në xhepin e brendshëm. Shenjë kjo që më bënte t’u besoja relatave tona shumë të mira, pse jo edhe intime.
E solla Verën rrotull atë mbrëmje, nëpër labirintet midis luzmës së njerëzve, ndërsa ajo gjuante aromën e Melihasë. Por pamja magjike e atij gjiri të vogël, ku dritat e buzëdetit formonin mijra ylbere në një qilim gjigand ngjyrash, ushqenin romantikën e gruas sime me shije të holla poetike. Më në fund ia arritëm qëllimit. Melihasë i ndriti fytyra. Kishte disa ditë pa u takuar me Verën. U puthën si dy motra të malltuara. Shiko-shiko, më tha Bedoja dhe më hodhi krahun. Ashtu bëra dhe unë. U qetësova disi, që ishte me fëmijët. Ata atë donin dhe u shkëputën posa u përshëndetën me ne. E dija se shokut Bedo ia donte stomaku një konjak, ndonëse ishte fund prilli. Si pa kuptuar mbritëm në turizëm, lokali më i mirë i qytetit. Pasi e ngrohu konjaku, ia nisa bisedës:
-U duka andej nga Dega sot, por nuk të pashë. -A, pse erdhe sot? Po pse s’më kërkove, a derëbardhë? Atje kam qënë tërë ditën, mbi ca shkresa. Po ç’ne? Kishte ndonjë mysafir sot?-pyeti shoku Bedo, duke bërë të paditurin. “Mysafir” u thonim shkelësve të kufirit.
-Po, kishim një irlandez, -i pohova dhe nuk folëm fare për “mysafirin” e paftuar.
- Prita mos të shihja të pinim ndonjë kafe. Pastaj mendova mos ishe i zënë me punë a mos kishe dalë fare jashtë qytetit, -e rifillova vetë bisedën.
-O, Bujar, ti e di se nuk e çaj b… për punën para shokëve e miqve të mi. Po të thashë mik, vëri pikë.
U zura ngushtë, por edhe u qetësova pak. Kjo nuk do të thoshte se nuk i kishte shkuar gjë në vesh, se ai me siguri i kishte vënë ndonjë vëzhgues bashkëfshatarit, gjë që s’do t’ma thoshte menjëherë. Sa kaloi një gllënkë konjak, e vijoi vetë bisedën:
-Ç’është e drejta, Bujar, edhe nuk desha të dilja. Atje te porta më priste një bashkëfshatari im. I thashë oficerit të shërbimit t’i thoshte se isha jashtë qytetit. Ti e di kjo është përgjigja më normale në këto raste. Po ai u ngul atje nga ora tetë deri deri sa i vajti ora e autobuzit të linjës. Besoj e mblodhi mëndjen që nuk kthehesha. Kam respekt për të dhe e kam ndihmuar, por ashtu ishte puna sot.
Të them se nuk më kaluan mornica në trup, do të gënjeja, por bëja ç’është e mundur të aktroja. Po sikur ta ketë marrë vesh që ishe brenda, desha t’i thoshja, por u përmbajta. Jo se do ta brente ndërgjegjja! Aspak. Natyra e tij e egër as që pyeste fare për skrupuj moralë. Njeri energjik dhe bile i dhunshëm, i grushtave, i lindur për luftë dhe për t’i masakruar të mundurit. Por duhej ta çoja deri në fund misionin që i kisha vënë vetes.
-Po sikur ta ketë marrë vesh që ishe brenda? –i thashë si me të qeshur, se s’m’u durua.
-Jo, -m’u përgjigj, -ka shumë besim tek unë.
-Deshi thjesht t’ju takonte apo kishte ndonjë hall?
-Ka një hall të madh. I kanë rrasur djalin në birucë. Ka tri ditë. Donte ta ndihmoja besoj, por ti më njeh mirë.Jo se nuk dua të ndihmoj miqtë e shokët. Në këtë funksion delikat që mbaj unë nuk ka detyrime morale e shoqërore. S’ka dalë kot ajo fjala: nuk ka detyrime për të pamundurat. I pohova me kokë dhe çuka gotën. E ndjeva se më iku fytyra. Shyqyr që shoku Bedo ishte ngrohur pak dhe ishte çakërrqejf. Ç’do të ndodhte me mua në se më kishin parë që denja gati gju më gju me bashkëfshatarin e shokut Bedo dhe bisedova me të rreth gjysmë ore? Duhej çuar deri në fund biseda.
-Me siguri djali ka bërë ndonjë proçkë, që nuk pranove as të takoheshe me babanë e tij,-e provokova.
-Ore po të dua unë, e ndihmoj që ç’ke me të, por s’i kam qejf ndërhyrjet,- m’u përgjigj.
-Domethënë ka akuzë të rëndë?
-Akuzë e rëndë, shumë e rëndë… Po hajde gëzuar!, -më tha dhe e trokiti gotën hijerëndë.
-Si ta kuptoj “shumë e rëndë”, shoku Bedo?-e pyeta, i tronditur, mos e zhbiroja sado pak. Por në moment ia behën gratë:
-Akoma ju këtu?! Për konjak dolët sonte apo për shëtitje? Çohuni, se vajti ora dhjetë e gjysmë,-tha në mënyrë urdhërore Melihaja, duke m’u drejtuar mua.
- Ecni ju para, avash-avash, se ju arrijmë,-u përgjigj shoku Bedo. Mendova se do ta çonte deri në fund bisedën, por ai e ktheu gotën me fund dhe nxorri portofolin për të paguar. Ngulmova të paguaja unë, por kur thotë fjalën ai, asnjë nuk ia bën dysh. Duke dalë, u përballëm me Beqirin, shoferin e shokut Bedo. E urdhëroi të merrte makinën dhe të vinte te turizmi. U shqetësova. Shoku Bedo s’e kishte bërë ndonjë herë këtë. Beqiri mbriti me Gaz-in e Degës për pesë minuta.
-Hypni, -na tha shoku Bedo dhe e kapi për krahu shoqen Meliha. E futi brenda në sedilen e pasme, duke ma lënë mua sedilen e parë. -Çoje Verën e Bujarin në shtëpi, lere shoqen Meliha te pallati dhe hajde sërish! –e urdhëroi Beqirin. Beqirit, vërsnik me shokun Bedo, por që e mbanin besnikun e tij, s’i pëlqeu fort ajo punë.
Atëherë më hipën vërtetë mizat. Diçka nuk shkon, mendova.

* * * * *
-Më doli ndonjë shërbim sonte natën,-foli papritur Beqiri qejfmbetur, pas një heshtje cinike.
-E po, kjo është detyra jote, - iu përgjigja, sa për t’u gjendur në bisedë. Gazi ndali. Zbriti shoqja Meliha dhe Beqiri e shoqëroi deri te dera e hyrjes në pallatin e ri.
Me sa u duk, Beqiri s’e kishte harruar përgjigjen time dhe më ktheu përgjigjen e vet:
-Ky stan këtë bulmet ka, shoku Bujar, jo siç e thua ti me kulturë franceze,-Vera qeshi me të madhe.
E di se në biseda më punonjësit e degës duhet të jesh shumë i kursyer, por kisha një nxitje të brendëshme, sa nuk përmbahesha dot.
-Nuk ishte fort në qejf sonte shoku Bedo,-e provokova.
-Ke kursyer lekët e konjakut apo birrës, çfarë pitë,-ma ktheu me qesëndi Beqiri, duke vështruar verën në pasqyrë, e cila vuri buzën në gaz. Beqiri e vazhdoi vetë këtë radhë bisedën, pa ia kërkuar unë:
-Themë se sonte do të shkojmë me shokun Bedo në Ballëdreras.
-Pse kaq larg? –pyeta, gati duke u hedhur përpjetë, se m’u kujtua ai bashkëbiseduesi nga Ballëdrerasi.
-Ma thotë mëndja se do të çojmë djalin e një miku të shokut Bedo në shtëpi. Rushan e ka emrin.
-Cili është ky Rushani?-e pyeta pa takt, ndonëse i kemi të hapura kartrat.
-Eshtë një bashkëfshatari i shokut Bedo, që sot e priti gjthë ditën te porta e Degës, por shoku Bedo nuk kishte kohë ta takonte,-ironia në fjalët e tij dukej haptazi.
Nuk e ngava më atë bisedë në sytë e Verës. Kalova te festa e 1 Majit, që po afronte. Kur zbrita, bëra sikur i kërkova pak benzinë Beqirit dhe, duke u ulur pranë serbatorit, i kërkova sqarime. Beqiri sikur nguroi pak, por shpjegoi.
-Atij djalit i kanë stisur një kurth.
-Ç’farë kurthi?! –gati u hodha përpjetë. Beqiri më shtyu pak më tutje, ndërsa unë i thashë Verës të hynte në shtëpi. Ajo nguroi pak, pastaj ngjiti shkallët
-“Tentativë për arratisje”,-shpjegoi Beqiri. Unë desh i thashë se para 7-8 orësh isha takuar me babain e djalit, dmth Rushanin, por prapë u përmbajta.
- Si ta kuptoj këtë? Pse ia kanë kurdisur atë kurth? Kush e ka bërë atë poshtërsi? -“Tentativë për arratisje” është e tmerrshme,–S’u përmbajta dot.
-Prit, o shoku Bujar. Mos u tendos kaq shumë. S’je mësuar me gjëra të tilla, ti. Këto janë të zakonshme këtu.
-Besoj me qëllime të largëta, për sigurinë e vendit. Por kjo është shumë e rëndë, shoku Beqir. Tentativë për arratisje një stazhieri që prêt të fillojë shkollën e lartë?!-thashë sa i irrituar aq edhe i trembur.
-Ti je pranë Degës së Punëve të Brendëshme, por më mirë seç i dimë ne shoferat punët e saj, nuk i di askush tjetër.
-Ç’do të thotë kjo?! Po shoku Bedo?...-e pyeta edhe më i habitur.
-Ta tregoj unë, -m’u përgjigj shumë i qetë Beqiri. -Kjo do të thotë se djali i Beqirit është ndotur dhe nuk merr dot shkollë të lartë. Fshati merr dy të drejta studimi: një vajzë e një djalë. Të drejtën e djalit e merr dikush tjetër që nuk e ka mesataren. …Ose, ose, ka edhe një mundësi. Djalin e Beqirit e rekrutojnë, duke i premtuar shkollë të lartë më vonë. Pas tri ditësh, shoku Bedo, si “mik” i familjes, e shpie djalin në shtëpi mesnatës.
-Beqir, këto që thua më habisin, sa nuk mund edhe t’ju besoj. Pse pikërisht shoku Bedo?...
-Histori e vjetër. Shoku Bedo i mori të drejtën e studimit Beqirit. Beqiri martohet me atë që donte shoku Bedo, por nuk e donte ajo. Shoku Bedo, si punonjës i Degës nuk është hakmarrës. Bën Mikun. E ndihmon edhe të çojë një vajzë në kurs pë rrobaqepëse. Djali i mikut të Bedos, i merr të drejtën e studimit për shkollën e lartë djalit të Beqirit.
Mbeta sa i habitur aq edhe i tmerruar.
-Po më habisin këto që më thua për shokun Bedo. Po ai Beqiri aq naiv është sa të luajnë të tjerët me të?! Po ai miku i shokut Bedo ç’heroizëm ka bërë për të, kur shoku Bedo sakrifikon bashkëmoshatarin, bashkshkollarin, bashkëbankarin? -i thashë.
-Unë dhe ti dhe ne të dy, -vazhdoi Bledi. -Ti je universitar me kulturë franceze, po këto janë punë të thella. Ai miku i ri i ka dhuruar shtratin e gruas.
U largova i tmerruar. Nuk i thashë as natën e mirë Beqirit, i cili m’u hap aq shumë. Mbase qe mbushur deri në grykë, sa s’duronte dot as vetë më dhe gjeti një kishë të falej. E harrova veten time, pasojat. Po mendoja vetëm për atë maturantin, me fatin e të cilit luhej sikur të ishte një lodër fëmijësh.
Atë natë jam përpëlitur gjithë natën në shtrat si një kokosh që i presin kokën. Më dukej se çdo gjë që kisha bërë ishte pështirosur. Nga t’ia mbaja? Të bëja murë midis meje dhe shokut Bedo, emrin e të cilit e kujtoja me ndot apo të rrethoja me murë të pakapërcyeshëm të ardhmen e fëmijëvë të mi…Më shkoi mëndja diku gjetkë… Afër mëngjesit dremita pak. Por hodha çarçafët e thashë me zë të lartë: Jo! JO! Larg duart nga Vera ime! Këto fjalë e zgjuan Verën. Ajo më përqafoi e shqetësuar dhe unë e shtrëngova fort, fort sa i shkaktova dhëmbje…
Nuk më durohej sa të takoja Beqirin, shoferin e shokut Bedo. E takova rreth ores 11.00. Pimë kafe. Kishte ndodhur ajo që hamendësoi Beqiri.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen