Montag, 9. September 2013

Miradije Gashi: Poezi


GJUHA IME

Zjarr i zjarrit
zjarrmon dashuri.

Veshur me ylber tingujsh
liria melodi.

Po kush e shqipton më mirë
shenjtërinë e jetës
se gjuha ime,
ku dheu im bëhet Atdhe
e ligjëron nën qiellin pa re
këngë, lavdi e vaj
hapësirës pa fund e skaj
me gjuhën e lashtë të Nënës.

Kështjellë e gurtë
përtej kufijve të ëndrrës.



JAM GUR I VENDIT TIM

Jam gur a pjesë qielli
në hartën e tingujve të vendit tim.

Në mos qofsha vetë trazim
zanore që heshtjen mbytëse
e shndërron në kushtrim!

Në vendim tim
jam gur e qëndresë
që thith nga qielli rrufetë.

Atdheut i bëhem strall,
me shkëndijën e gjakut
flakë i kall
përbindëshat e lirisë.

E brishtë,
me veskun e gruas bilur,
sërish e sërish kur e do nevoja
në kala të Atdheut shndërrohem në gur.



EDHE PAK

Edhe pak dhe kambanat bien,
vetëm edhe sa një kërcim maceje,
sa çudi!

Ura që e ndërtova unë
sa do të qëndrojë vallë?

Ah,
po këtë askush s'e di!




PESHA E KUJTIMEVE

Mendimet më rrjedhin lumë
sa herë më rëndojnë kujtime,
rrëqethem e tëra e mbetem pa gjumë
për gjithë burrat e Drenicës trime.

Kur kujtoj se ranë për lirinë
të atdheut, tënden e timen,
që fëmija ta ketë shtëpinë,
Që Kosova të mos jetë jetime.

Eh, ç’burra që qenë
dy zemra në gjoks, thonë - i patën,
një, si diellin, për atdhenë
tjetrën si zjarr në vatër!

S’ishte si muajt e tjerë
as si pararendësit e tij
viteve që ikën.

Mos dielli i mori mëri
e ia ndali rrezen,
mos lulja u vyshk për një pikë shi,
e s’ia hapi derën as kopshti?

Çudi,
se si më zuri etje
edhe për të nxehtin!

E u ndal udhëtimi i panisur
rrugës së pushimit
si një peng që dhemb.



NË FLUTURIM

Mbrëmë në ëndërr, thellë në gjumë
m’u shfaq Plaku me flamur,
Vlora nuse më thirri si bijë
Marigonës t’i bëj shoqëri.

Atje ku në një fjalë vlon dëshira,
në një fjalë ku të puth e mira,
një penë - fashë që të lidh plagën
e një mik që ta mban fjalën.

Se si m’u bë ëndërrim
fluturimi mbi relievin e Atdheut tim,
atje poshtë një zë më thirri:
Arbëria, këtu hap gjiri!

Mbi Rinas, mbi Rinas
shqipe jam, vetes i thashë
se atdheu krahë më jep,
siç më dha kur qesh në djep.



E DUA NDAJNATËN

E dua ndajnatën,
puhizën e lehtë,
vesën e mëngjesit
dhe vapën në drekë.

I dua livadhet
erëndje prej lulesh,
tundje degëpemësh
ndanë udhës.

Dua çdo gjë të Atdheut
për tokë e për qiell,
bijtë që s’janë dhe ata që vijnë
me sytë yje e ballin qiell.



PO TË ISHA BARESHË

Nganjëherë qaj
e nganjëherë qesh

Nganjëherë flas
nganjëherë hesht

E, një ditë prej ditëve
mendova kot më vete:
-Eh, po të isha bareshë,
ç’grigjë luleborash
do të kullotja shpateve, bjeshkëve
në vend të metaforave!?



KUJTIM I HIDHUR

Më kujtohet një ditë dimri:
Helmeta e policit serb në orë mësimi,
E rëndë, e rëndë qe ajo ditë,
Po më të tmerrshmen e panë sytë.

Në sytë e fëmijëve me lot larë
Prangat ia vunë mësueses me ditar!
Dita u shndërrua në natë e terr,
Mesjeta bizantine volli vrer!

Oh, dhe dielli atë ditë i fiku rrezet
Se liria ishte në zinxhir,
Çdo gjë e ngrysur, një zjarr që s’ndizet,
As zogjtë e qiellit nuk ishin të lirë.

Pastaj erdhi ndarje me nxënësit
Si një ëndërr e prridhur,
Në zemrat e tyre dhe timen
La vulën e zezë kujtimi i hidhur.



LETËR NXËNËSVE TË MI

Nga larg ju përshëndes
të gjithëve bashkë e një nga një,
o nxënësit e mi!

Më duket sikur para sysh
ju kam tani,
që nga Blerina e deri te Taulanti.

Sa ia kam inati
distancës së kohës, hapësirës
që vjen e na futet në mes!

Kur ju shkruaj letër
megjithatë,
zhvendosem në kohën tjetër
e bëhem bashkë me ju
në kopshtin e luleve të kujtimit.


___________________________
Zgjodhi nga libri i autores dhe solli për ju shkrimtari Halil Xani

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen