Sonntag, 1. September 2013

Shefqet Sulmina: Poezi


Ti sonte nuk je

Ti sonte nuk je. I thamë të gjitha pa thënë asgjë.
As patëm për të thënë që ç’ke me te.
As kemi për të thënë, ta dish, më asgjë.
Asgjë nga thëniet që do të dëgjoje s’po të them asgjë.

Vetëm se kjo hënë, vetëm se këta yje,
Vetëm se këto rrugica, kjo erë, ky vresht me limon,
Ajo lagje me shtëpi të bukura dhe drita të ndezura,
Ja këtu, këtu në gjoks, këtu te zemra dhe te e qeshura jote.

Asgjë. Vetëm se ky traget nesër niset për në bregun tjetër,
Vetëm se deri nesër u bë vonë dhe ky është traget i bregut tjetër.
U bë vonë, dua të them se është koha për të fjetur. Dua
Të të kujtoj dhe një herë tjetër, është vonë, është ora për të fjetur.

Të të kujtoj dhe një herë tjetër, është vonë, është ora për të heshtur.

 


Mos bëj të qajnë dhe fëmijët

Nëse shkoj nga kjo bote
dhe nga sytë e tu të mëdhenj e të bukur,
plot me yje dhe reshje shirash,
të hapur në dritë e në ere,
ti nuk do të shndërrohesh një flutur nën hije,
një guaskë e vetmuar në breg
përflakur nga deti dhe dallgët e tij...

Lumin tënd ta uroj të gjallë,
për shumë gjëra që ti i di,
për shumë të tjera që do ti jetosh me fëmijët
për shumë të tjera që do ti duash,
e për shumë të tjera që do t'i thonë prapë fëmijët.
Do jen serish krah përkrah lumenjtë tanë.
Se te vjen ta mendosh mos ma thuaj,
se jo,mos qaj e dashur
të bësh të qajnë dhe fëmijët.

 


Poetuci

Tashme i bindur që krijoi diçka
Abstrakte për fusha të ndryshme pa pamje
P.sh sikur Dylqinja Toboza,
Kushërira e gjashtë e Balzakut,
Ose gomari i Sanços hante thana,
Mullinjtë e erës, ose era e sanës;
Ai në fakt i bindur ulur në karrige
Nuk e dinte se Kristoforidhi
Gjithmonë sipas shpinës së tij
Kishte vdekur i varfër.

Para tij birrë "Tirana",
Para tij,por në frizer,
Mbyllur në tapë,
Në shishe.
Në orën nëntë të paradites e pashë.
-Djall,o miku im!
Ai që andej, unë që këndej
Kaq.
Dhe harrova t'u them, u përqafuam.

Tashmë, ai i bindur që mund të krijojë prapë
Diçka abstrakte për fusha me pamje të tjera,
Ai mund të rikthehet prapë aty,
Pa ditur se Kristoforidhi, vërtetë,
Gjithmonë sipas tij kishte vdekur i varfër.

 


Kur do të vish

Kur do të vish, thuajmë kur?
U rralluan dhe yjet në qiell,
Dhe hëna u tretë mbi drurë,
Lumi rrjedh kuturu mbi gurë.

Nën simfoninë kuisese të erës,
Rrugët mbeten të shkreta
Pyjet pikëpyetje të pagjetura
Fjalët e tua sonte të pa thëna.

Kur do të vish?E njëjta pyetje,
I njëjti mendim që më klikon.
Ndërsa nata mbretëron e tera
Siluetën tënde kërkoj në dhomë.

 


Për të ardhur tek ti

Qysh të vij te ti,qysh të vijë,
M'i prishi dëbora shtigjet të gjithë.
Po ta marrë shtegun me borë do të thinjem,
Po të rri pa ty vërtet do të thinjem.

Do ta gjej një shteg dhe boren do çaj,
Mes bores që bie dhe erës që frynë
Se ti ke dalë të më presësh,
Te shtegu qe synë s'e mbyllë.
 


24 ore

Rigojnë dhe vyshken fletët,
Shkrijnë dhe ngrijnë lëngjet,
Këndojnë dhe vetmojnë foletë,
Vrullohen dhe ngushtohen ditët
Shkëlqejnë dhe venitin lindjet,
Sëmbojnë dhe pastrojnë vdekjet,
Bymehen dhe kaltërojnë lumenjtë,
Rruzulli i trishtë dhe i lumtur
Njëzetë e katër ore në ecje.
Gjysma e tij përkundet,
Me diellin mbi flok gjysma tjetër...
Çdo ditë

Përditë shohim
Dhe kjo ngjanë normale
Që Ledi Makbeth
Lan duart e përgjakura
Në trupin e kohës së hutuar.

Përditë përtypim
Sikur të ishte natyrale
Kockat e një mendimi të mbetur
Nga një troje e rrënuar.

Çdo ditë udhëtojmë
Vetveten për të kuptuar
Çdo ditë qeshim e qajmë
Për të kuptuar.

 

Pupasi,ti dhe unë

Tani është vonë dhe ti kujton se tallesh me mua,
Nuk e di se ai njeri me kapotën time që rri strukur
Është thjeshtë një pupas bore që e bëra enkas
Dhe enkas i vura lule në duar,që ty të të vij keq
Për mua që jam jashtë e për ty po vuaj.

E di që tani tallesh dhe mendon se ma hodhe mua,
Pa ditur asgjë për pupasin me xhaketën time veshur,
Unë tejet i lumtur që ti qesh ashtu kot fare,
Mbarova kupën e verës duke qeshur e menduar
Që ti loz me mua dhe me zeron e hënës e gëzuar.

Këtu jam përballë Trojës
Këtu jam përball Trojës
Dhe më duket se ndjej mbi gurët e vjetër e të shkretë
Zhurmën e hapave të Helenës së bukur,
Shumë e shumë kohë më parë,
Para se greket të stisnin luftën,
Para se Paridi ta këtë puthur,
Para se Helena të arratisej ...

 

Kurrë s’kisha qenë në Sazan

Dhjetor ishte dhe s’qe as maj...
Kur befas mu shfaq deti i saj.
Unë det të gjallë s’kisha parë,
As Dean s’e kisha parë të gjallë.

Një gri dimri dhe borë e bardhë...
Përplasej det i Jonit mbi Sazan.
Unë det si njeriu nuk kisha parë,
T’më fliste e t’më qeshte si i gjallë.

Dhjetor ishte dhe më duhej zjarr...
Valët zunë të më qanin në Sazan.
Dhe s’kisha forcë dhe s’kisha varkë,
Valët zunë t’më qeshnin në Sazan.

Ç’mu desh të lëvdoi detin e saj?!
Unë det të gjallë s’kisha parë.
As Dean s’e kisha parë të gjallë...
Borë edhe det, rrethuar në Sazan...

 

Ajo më thotë

Ajo më thotë se do të më vrasë me heshtje
Edhe unë në heshtje do ta dua,do ta vrasë,
Do të ngreh një kështjellë të madhe prej rëre
Dhe vetë do të mbyllem në të brenda për inat.

Dritaren do ta mbyll,do ti mbyll dhe grilat,
Që ajo si engjëll drite mos të më zgjoj në gjumë,
Do ti shpallë luftë,me çarçaf do të mbuloj kokën
Që ajo kokës time mos ti trokas më kurrë.

Kështu do të bëjë se ndryshe s'mund ta mund,
Këtë grua që më rri te dera dhe brenda s'hyn.
Kështu do të bëjë në këtë kështjellë prej rëre,
Ku një grua mund ta rrëzoj dhe me frymë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen