Dienstag, 3. September 2013

Skicë humoristike nga Danel Cana

NJË DITË NË AMBASADË

 Vala e emigracionit na hodhi jashtë qendrës së zhurmshme, të shumëpopulluar e metropolitane të kryeqytetit helen. Por siç thotë një fjalë e urtë popullore:" Afër detit, afër mbretit, kurrë nuk je i humbur". Ne na ra në pjesë që të shijojmë freskinë e detit, aromën e jodizuar të tij. Dallgët e zhurmshme me melodinë e monotoninë e pafundme të tyre, vës...
htirë se kanë bërë ndonjë të pakënaqur. Edhe detari që shpesh ndeshet me këto dallgë, prapëseprapë nuk i rrihet pa to, por shpesh edhe kur është i pamundur për t'u ndeshur, del në breg të detit dhe i ledhaton si një fëmijë dhe loz me to. Flas me një siguri që nuk mund të vihet në dyshim për atë pjesë të medaljes që kam parë, kam provuar, kam ndjerë. Përsa i përket pjesës tjetër, të medaljes që na jep populli, afër mbretit, nuk patëm fatin të jemi gjithmonë pranë. Mbase është kjo arsyeja që mbreti, apo njerëzit që e rrethojnë, nuk na kanë parë dhe me shumë qejf. Të thosha se na ka fshikulluar të parët? Mbase nuk bëja gabim. Por ç'rëndësi ka? Të parët, apo të fundit? Fshikulli njësoj godet, kur bie mbi kurrizin e fukarait. Mbi kurrizin e agait zbutet dhe e dini pse? S'e ka fajin as agai e as ai që godet! Fajin e ka i pari fshikulli dhe i dyti kurrizi, i cili është i majmë e rrëshqet mbi të, si kurrizi i një balene. Por nuk mund të llogarisë njeriu hallin, se ku mund të shpjerë dhe kur! Qëlloi që edhe unë fukarai, me cilësinë e kryetarit të shoqatës së "fukarenjve", i nënshkruari Ali Baba Tepelena, të merrja rrugën e të shkoja në derën e ambasadës, për një problem fare të vogël, por që kushtonte shumë shtrenjtë, po të mos faleshe në kultin e ndërtuar për atë punë. Është mjaft logjike, sepse do shkosh atje ku duhet dhe për çfarë duhet! Nuk mund të shkosh, për shembull për t'u vizituar tek avokati! Apo të shkosh për t'u ankuar tek doktori! Jo, jo! Të mos i ngatërrojmë gjërat! Pavarësisht se doktori të kërkon të betohesh dhe avokati të kërkon të paguash. Kjo nuk do të thotë gjë, sepse për t'u betuar për të vërtetën, ta thotë edhe gjykatësi, pavarësisht se ai dëgjon kryegënjeshtarin, avokatin! Në kishin, apo s'kishin mundësi të gjithë nga të gjitha anët e Greqisë, për këtë nuk do t'ia dinte njeri dhe as mos u lodh fare. "Ai që bëri shtëmbën, i bëri dhe verigën".
Tani, që të mos lodh njeri e të mos largohemi nga tema, halli të shpie edhe në derë të hasmit. Nejse... Me një gjysmë fjale kisha mbyllur një farë takimi me z. ambasador. Ai më priste, pavarësisht se ndenja nja dy orë dhe e prita në sallon! Punët kështu e bien. Kurrë nuk mund ta dëshiroja që të linte ndonjë takim më të rëndësishëm e të më takonte mua! Kjo s'ka si ndodh dhe unë nuk e marr për ters. Rëndësi ka që ai e mbajti fjalën dhe më priti, sapo u kthye nga ministria, ku kishte takime të tjera zyrtare. Kisha kohë edhe të njihesha me ambientin e ambasadës, me
njerëzit që shtyheshin në radhë për të vulosur certifikatat. Radha ishte e madhe. Njerëzit kishin sakrifikuar punën, familjen, kishin ardhur nga larg, që u duhej të rrinin mbase më tepër se tre - katër ditë në kryeqytet për të mbarur punë. Ishin ndarë hallexhinjtë, kështu i quajmë andej na fshati, në dy grupe:
i majti për pasaporta dhe i djathti për certifikata. Sapo bëje të hyje në radhë, të prisnin mjaft persona, të cilët të njihnin me kushtet e vulosjes, një gjë shumë e mirë kjo, sepse ne nga fshati biem kovë në pus e nuk dimë ku shkojmë. Me shumë mirësjellje të bënin njëqind pyetje e njëqind përgjigje, si mund të mbaroje punë sa më shpejt. Si të mos mërziteshe. Si të vinte kafeja aty dhe ti vetëm pak buzët të luaje. Sa gjë e bukur kjo! Shiko se ç'i ka pjellë mendja njeriut, i thashë plakës, se e kisha me vete. Më falni se nuk ju prezantova, por jam pak i rezervuar, helbete, një plakë kam dhe kohë të paqarta janë. Si të veproi i varfëri njeri? Plaka më shtrëngonte fort krahun, sa mezi duroja dhimbjen, por pleqëria ka të sajat. Nuk ka gjë më të keqe se sa pleqëria! Po s’e kini dëgjuar, ja ku e morët vesh nga mua. Nuk kam frikë ta tregoj. Pse jemi në demokraci pastaj?
- Xhaxha, - më thoshte një djalosh i shkurtër babaxhan, - nuk është për ty kjo punë, nuk kishe ndonjë të ri?
- Të rinjtë punojnë, mor bir, prandaj vendosa e erdha vetë.
- Sa certifikata ke xhaxha?- m'u drejtua përsëri.
- Kam dy copë.
- Të përkthyera, të vulosura në prefekturë?
- Jo, të keqen, nuk i kam përkthyer. Po sa për prefekturën, njëra më duket se nuk e ka vulën e saj!
- Me njëqind euro atë që nuk ka vulën e prefekturës dhe tetëdhjetë ajo tjetra. Njëqind e tetëdhjetë të dyja janë të mbaruara. Përndryshe të flesh këtu, do merohesh e nuk mbaron punë.
U afrua edhe një tjetër me kollaro, me një tufë certifikatash në dorë. Dy metro burrë, i pashëm, që kthente malet përmbys, kur i thonë fjalës nga Tepelena.
- Vendos xhaxha. Ne për të mirën tuaj rrimë këtu.
- E di, mor bir, e di....!
-............!
- Edhe ti me këtë je?- e pyeta.
- Jemi edhe ca të tjerë dhe mezi mbarojmë punë ne këtu e jo të mbarosh ti,- m'u përgjigj, duke i shkelur syrin atij tjetrit.
- Domethënë...
- Ekonomi tregu, xhaxha, ke marrë gjë vesh, zotrote?
- Eee, të keqen, çoç kam dëgjuar - dhe ika se po më tërhiqte plaka zvarrë.
Djali më kishte dhënë me vete një telefon celular, se helbete, pyeste ndonjëherë se
ku ishim, çfarë bëmë, kur do niseshim etj. More, unë nuk e doja fare, po ç't’i bëja plakës? Ajo këmbënguli ta merrnim dhe asaj ia futa në çantë. Po do ti që u desh! Kur kërkuam atë sekretaren e u prezantova se kush isha e çfarë kërkoja, më tha:
- Xhαxha, kini qinito, (celular), që t'ju njoftojmë kur të vijë ambasadori?
- Posi! - I thashë.
- Plakë, tregoja atë numrin! Plakën kisha si sekretare personale.
Fët e fët dhe plaka nxori një copë letër të shkruar dhe ia zgjati. Në rregull. Prisni, se do t'ju njoftojmë.
Dolëm edhe një copë herë jashtë në rrugë dhe vendosëm me plakën të pinim një kafe. Kafenetë ishin përballë. Na duhej të kalonim rrugën midis atij qarkullimi të madh. Po çfarë vendosin pleqtë dhe nuk e bëjnë? Shkuam dhe u ulëm në një tavolinë. Porositëm dhe nga një kafe "eleniko" dhe me qetësi po e pinim. Pas ndonjë gjysmë ore dëgjojmë një cërrr... të telefonit. Telefonin e merrja unë të përgjigjesha, meqë isha dhe si kryetar i zgjedhur. Shpesh plaka më mbyste me llafe, jo po ç'të duhet... Jo po ishim mirë dhe kryetarllëku na duhej... Jo po ti do t’i mbrosh fukarenjtë etj. si këto. Po unë nuk ia vija veshin shumë. Më dukej se bëja një punë patriotike dhe po të mos e bëja unë, dikush tjetër do ta bënte. Po të thoshim të gjithë kështu për të mos u trazuar me problemin e të varfërve, me problemin e emigrantëve, me problemet e fëmijëve dhe femrave që tregtohen,- atëherë si do zgjidheshin problemet? Unë e dija se dikush duhej të ishte zëdhënësi i këtyre halleve e shqetësimeve, ndaj nuk i ktheja përgjigje plakës. Mora telefonin dhe u përgjigja. Ishte sekretarja e ambasadës. Na tha se zoti ambasador për dhjetë minuta ishte në zyrë. Ne mund ta prisnim në sallon po të donim. Ashtu bëmë. U nisëm me plakën dhe kur shkuam tek porta, i ramë ziles. Nga brenda na pyetën kush ishim. Pasi deklaruam emrin, porta u hap e ne shkuam brenda.
- Kjo qenka si puna e përrallës. - Më thoshte plaka, "Hapu Susam! Mbyllu Susam!"
- Ajo ishte për dyzet hajdutët e mëdhenj, i them, e këtu hajdutët i lamë jashtë, plakëëë!
- Avash ti, se nuk thashë gjë unë e varfra, po e kemi mësuar që fëmijë atë përrallë.
- Eee, po... nga përrallat u bënë të vërtetat! Ndaj duhet t’i kemi parasysh ca tregime të vjetra. Ata që i kanë shkruar e treguar, më parë i kanë vuajtur, e vuajtja është mësuesi më i mirë.
U hap dhe dera tjetër dhe hymë brenda. Një femër e dobët, brune, rreth 35 vjeçe, na priti me buzëqeshje dhe na ftoi të uleshim në sallonin e pritjes. Atje u ulëm në një nga poltronat e veshur me lëkurë të zezë. Salloni ishte i freskët dhe nuk mungonte gjelbërimi aty brenda. Majtas kishim figurën e heroit tonë kombëtar, të pikturuar paksa sipas atyre rrymave të reja që kishim dëgjuar e lexuar, subrealizmi, apo nobizmi, nuk isha në gjendje ta përcaktoja, megjithëse unë nuk merrja dhe aq
shumë vesh nga pikturat. Sa për plakën po, ajo i dinte mirë, me rrënjë e dhëmballë kur i thonë, por mua më vinte rëndë që ta pyesja se do thoshte si gjithmonë:
- Mbrapa do mbetesh ti mor qyqar tërë jetën tënde?
Nuk doja t’i shtrija dorën, se po të më hidhte në dorë ajo... i ziu unë pastaj! Aty pritëm goxha, rreth një orë e gjysmë, apo dy. Më në fund ajo brunia na tha se na priste ambasadori, por duhet të fiknim telefonin celular para se të shkonim. Ashtu bëmë. Plaka e kishte mësuar edhe këtë. Për lehtësinë tonë djali na e kishte bërë automatike fikjen e ndezjen, kështu që nuk ngatërroheshim fare as me PIN e as me PUK, vetëm një buton të vockël do shtypje.
Të shoqëruar nga një vajzë bionde, më e re nga ajo që rrinte këtu në katin e parë, hipëm në ashensor dhe shkuam në katin e tretë. Zonja bionde na shpuri deri në fund të korridorit, hapi derën përballë dhe na tha me shumë mirësjellje:
- Urdhëroni! Hyni, ju lutem. !
Unë hyra i pari e pas mua plaka, duke e falënderuar zonjën, e cila mbylli derën pas nesh. Hymë në një zyrë të madhe, plot dritë, dritaret e së cilës shikonin nga rruga ku qarkullonin njerëzit që dyndeshin për certifikata e për pasaporta. Aty na priste ambasadori ulur në një karrige rrotulluese, përballë një tavoline të madhe, kurse përballë tij një tjetër mesoburrë, të cilin e prezantoi zoti ambasador, si një nga konsujt e ambasadës. Pasi shkëmbyem pyetjet etiketore të radhës, erdhi një telefonatë për zotin ambasador. Ai ngriti receptorin dhe u përgjigj duke dhënë mendimin, apo porositë e radhës. Pastaj u kthye nga ne, duke na thënë se mund të na dëgjonte për problemet që na shqetësonin. Unë nuk kisha dhe shumë gjëra dhe po thuajse i dija përmendësh. I thashë zotit ambasador, se nuk mbahej mend e sata certifikatë ishte kjo që vulosnim këtu në ambasadë. Për mua ishte hera e parë që vija vetë dhe natyrisht që do më kushtonte më pak. Më pak si vulosje, por po të llogarisje shpenzimet që kishim bërë për të ardhur deri këtu, ato shkojnë disa fish më shumë. Nëqoftëse e gjithë certifikata e vulosur kushtonte 80 euro, personi që merrej me këtë punë merrte 150 euro. Ata i kishin rënë lapsit mirë. Zyrtarët grekë, meqë nuk kanë fare burokraci, kërkojnë për sa herë të paraqitesh në bashki, aq herë duan certifikata të përkthyera. Po në OAED? Po hiles i kanë rënë edhe në prefekturë! Ndaj na morëm frymën me këto certifikata, aq shumë duan. E ne të varfrit nuk jemi dhe afër, pa kush e qan! Plus kësaj, tani kanë nxjerrë e na kërkojnë vërtetime edhe për pasaportat e reja. Si t'ia bëjmë? A mund të gjejmë ndonjë zgjidhje?
- Po si mendon ti, zotëri? – M’u drejtua mua.
- Po ja... unë e kam mbledhur mendjen dhe them se janë të tepërta. Sepse po të shtrohemi këmbëkryq si i thonë, ka zgjidhje e mund të hiqen.
- E mora vesh, ç’do të thuash. Ti thua t’i heqim fare certifikatat! Ti heqim dhe vërtetimet e pasaportave! Po unë, mor zotëri, kot rri këtu? Të ikim dhe ne të gjithë pastaj! Dakord?
- Më fal, nuk thash atë.
- Jo po këtu vete! Po a e di ti zotëri, se këto janë ligje dhe ligjet nuk i vendos unë? Ligjet janë bërë që të punojmë për popullin, por edhe populli do na mbaj ne! Me se do rrojmë? Unë punëtor jam. Duhet ta kuptoni!
- Më fal, nuk e mendova kështu.
- Shumë gjëra nuk i mendoni, por ja, hajde ti në vendin tim!
- Këtë desha të thosha. Nga pozicioni që i shikoj unë gjërat, duken siç po jua them. Ju që jeni këtu lart, nuk i shihni si ne! Dhe kur them ne, nënkuptoj edhe 700 mijë të tjerë që vijnë vërdallë si mua. Kurse ju një jeni, zotëri...
Më duket se mora pak zjarr, por e mblodha shpejt veten. Zoti ambasador fliste me ton të lartë herë-herë dhe bërtiste, por pa të keq, të kuptohemi për këtë! Shikoja nganjëherë nga plaka. Ajo e zeza ishte kërrusur më keq nga ç'ishte.
- U sqaruam për të parën? Tjetër?
- Po ja... Problem i madh mbetet edhe shkolla shqipe këtu në emigracion. Fëmijët tanë nuk dinë as të shkruajnë emrin e tyre!
- Po pse, mor zotëri? - M'u drejtua me një inat duke qëlluar tavolinën e i skuqur gjer në veshë. Po kë pret ti që t’i mësojë firmën fëmijës tënd? Do vij unë, apo do vij greku?
- Nuk thash unë i varfëri se do vish zotrote, por...
- Nuk ka por. Vetë do ta mësosh fëmijën. Ta mësosh që ç'ke me të. Sa të pëlcisni. Oj!
Unë shikoja nga plaka dhe ajo nga mua. Sytë tanë kishin dalë jashtë e nuk shikoja fare. Vura duart në tavolinë, sikur do mbahesha, se m'u rrotullua bota.
- Korba, - ja bëri plaka, kur më pa në atë gjendje.
- Mos ja bëj korba fare, zonjë, se ju flas me kompetenca.
Plaka gjetkë e kishte shqetësimin, por meqë erdhi kështu, u mundua t’i kthente një përgjigje, sa të merrja dhe unë pak veten.
- Po a munden të gjithë emigrantët ta bëjnë këtë? Po të ishte kështu, nuk kishim shkolla!
- Po shteti çfarë të bëjë më parë? Shikoni këtu.
Mori një stilolaps dhe një fletë të bardhë dhe filloi.
- Kemi këtu 60 mijë nxënës. Këta nxënës duan 2 mijë klasa. Po e zëmë një shkollë me 10 klasa, bëjnë 200 shkolla. E kupton, e di ti, se shteti nuk mundet për këtë?
- Po ne ta fillojmë një herë, duke inkurajuar të tjerët. Pastaj di se ka dhe marrëveshje e konventa ndërkombëtare,- u përgjigja me gjysmë zëri.
- Konventa ndërkombëtare unë nuk di. Ju po dini, thojini,- m'u përgjigj ambasadori.
Mua më shkoi mendja tek një shkrim që kisha lexuar në internet për një marrëveshje që ishte bërë nga qeveria shqiptare dhe ajo greke më 1918-ën për hapjen e shkollave shqipe për Çamërinë e arvanitasit dhe për hapjen e shkollave greke për minoritetin në jug të Gjirokastrës. Pala shqiptare i realizoi këto, kurse pala greke i shoi nga defteri që kur përzuri çamët nga trojet e tyre. Më e freskëta ishte kontrolli i komisionit evropian më 2001-in, i cili një nga detyrat që i la palës greke, (flasim vetëm për Greqinë) ishte pra, kthimi i pronave çame dhe hapja e shkollave shqipe. Kur nuk i dinte ambasadori këto, si mund t'ia thosha unë? Më mirë heshta dhe e anashkaluam, duke nënkuptuar se ai kishte të drejtë. Ai... Kush ai? MALIQI. Po. MALIQI gjithmonë ka të drejtë.
E mbylla gojën dhe plaka filloi të më cimbiste që të ngriheshim, se u ngopëm. U ngrita, duke e falënderuar z. ambasador për pritjen që më rezervoi. Duke dalë mendoja dhe përgjigjen që do iu ktheja të tjerëve. Kur të më pyesnin se si dola, do ju thosha : " Vajta për lesh e dola i qethur!"

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen