Freitag, 15. November 2013

Hyqmet Hasko - “Midis dy dashurive"

Të jetosh ” Midis dy dashurive”

Duke shfletuar librin me tregime e novela “Midis dy dashurive" të autorit Hyqmet Hasko
 

Nga Namik Selmani, Shkrimtar
 

1.
Besoj se nuk ka mëdyshje se poeziomania e kohëve të fundit qoftë në ballina librash apo edhe në ekranet virtuale të internetit, na ka mbërthyer të gjithëve madje edhe promovimet e librave poetike që ndjekin në radhë njëri- tjetrin në Shqipëri në Kosovë e gjetkë na krijojnë përsthypjen e gabuar se ky lloj letrar është më i lexuari më i preferuari, edhe pse krijimet që na vijnë në duar nuk janë të mira artistikisht dhe nuk ecin në modelet më të larta të poezisë shqiptare pa folur për atë botërore. Thjesht është ajo garë me vetveten për të bërë një letërsi gati si një hamburger që hahet në këmbë për të ndjekur ritmin e lëvizjes gatio marramendëse. Kjo përshtypje që kasha projektuar prej kohësh më erdhi kur mora në duar librin me tregime e novela të autorit Hyqmet Haskos me titull paksa intrigues “ Midis dy dashurive” Autori i këtij libri është i njohur prej vitesh në radhët e lexuesve në Shqipëri, por edhe më Kosovë. Ai është poet, kritik letrar i mirënjohur
Të flasësh për prozën me të cilën na shfaqet këto ditë zyrtarisht autori Hyqmet Hasko, në radhë të parë duhet të kesh parasysh librat e tij me poezi të botuara në vitet e fundit e që kanë pasur një lexues shumë masiv në rritje për të gjithë moshat. Jo thjesht se ato janë të një brumi artistik të asaj ngjizjeje që ai e ka shumë të veçantë dhe origjinale, po edhe aq pasionant në atë që shkruan, duket se ai e ka të një lloji të veçantë, por sepse ai ka një mison shumë të bukur krijues. Në veçantitë që ka në prozën e tij tij themi se ai po ecën edhe më fort, edhe më bindshëm, edhe më natyrshëm në atë udhë në atë lavdi që i ka dhënë poezia.
Një kapërcim i një lloji letrar, na rastin konkret nga poezia në prozë është një traditë e pashkruar e shumë autorëve deri te ata më të njohurit e letërsisë shqipe e asaj botërore e duhet thënë se nuk është i vetmi, po as edhe i fundit. Me të drejtë lëçitësi i këtij shkrimi do të më miratonte në mënyrë mirëdashëse këtë përsiatje, pa nisur e pa folur për risitë që sjell libri i tij në hullinë e madhe gati kuçedrore të botimeve tona në të gjithë trojet shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e në diasporë Për këtë po thërras në ndihmë së pari retorikën me disa pyetje që do të bëj. Mos është dëshira aspak aventurore për të sprovuar një sprovë tjetër letrare e këtij autori??? Mos është dëshira për të jetuar me misterin e ëmbël (nga ata që provojnë të gjithë krijuesit ambiciozë në misionin e tyre të shkronjëbërjes ) të një Porte të re???
Mos është ideja e konkretizuar e një risie të re rrëfimi letrar si të ishte një Magelan i vetvetes??? Në këtë udhëtim nga më të bukurit si është ajo e shkronjës artistike ku ti kërkon që, përtej modestisë së vetvetes, të hapësh dyer të rinj të talentit tënd??? Dëshira ose, më mirë të themi, mania e pyetjemanisë nuk është përherë simotër e përgjigjeve të sakta për atë që do ti, po për krijimtarinë e Hyqmet Haskos që e kam ndjekur që në fillesat e saj, mbase duhet parë më gjatë e më gjetkë. Edhe vetë Hyqmeti ndoshta, ashtu si pa dashur, në titullin e librit ve këtë mëdyshje që, padyshim koha do ta zgjidhë në mënyrën më të mire e më të saktë. Edhe vetë Hyqmeti ndoshta, ashtu si padashur në titullin e librit “ Midis dy dashurive”00 krahas me atë Fabul shumë humane që është aktuale dhe mesazhiere që del në fund edhe për breza të tërë për një rastësi të bukur, duket se ka shkruar edhe mëdyshjen e tij se në cilin lloj letrar të kalojë në të ardhmen.
 

2.
Një vëzhges i hollë letrar sheh se autori punon shumë me detajin që është një nga “sekretet “ e suksesit të tregimit e novelës. Për fat të keq ende kritika nuk e ka thënë si duhet mendimin për tregimet që botohen në Shqipëri. E kemi të vështirë që ta shohim këtë gjykim kritik edhe për botime të mirëfillta që përfshijnë vepra të autorëve të veçantë bashkëkohorë. Hyqmeti vjen në prozë pas poezisë. Që në vargjet e vëllimeve të tij do ne kemi parë aftësinë e tij për të kapur detajin dhe atë vëzhgim të mprehtë social që ai jeton si qytetar dhe si intelektual. Edhe këtu, pa rënë në një dualizëm artistik ai mundohet të jetë një tregimtar shumë social duke trajtuar temat më të rëndësishme që ka reliteti ynë shpesh herë edhe konfliktual po aq sa edhe tragji Personazhi i tregimit “ Midis dy dashurive“ edhe pse ka një dashuri të fortë, i duhet të mbajë afër zemrës nënën e tij që është invalide. Personazhi i tregimit “ Midis dy dashurive“, edhe pse ka një dashuri të fortë, i duhet të mbajë afër zemrës nënën e tij që është invalide. Bota shprirtërore e rojtarit të pyllit të mbetet në kujtesë për shumë kohë. Dashuria e mjeshtrit të ri, të largët dhe një trëndafil i mbjellë në varrin ku u varros krijesa e kësaj dashurie në tregimin “Sekreti i trëndafilit” e bën këtë tregim nga më të mirët e të realizuarit e këtij vëllimi Në rastin e zakonshëm librat e parë në prozë mund të mos e kenë suksesin e madh pasi mungon përvoja e krijuesve, po në këtë libër Hyqmeti vjen pas trajtimit me shumë sukses të temave sociale dhe filozofike. Ai është goditës kundër dukurive negative sa që mund ta kishte zili edhe një gjykatës dhe një avokat që kanë në duar ligjet e fatet e shumë njerëzve në nevojë. Këtë kahje të re dhe me shumë frymëmarrje na e jep edhe shkrimtari dhe kritiku letrar Bedri Myftari që u nda para pak ditësh nga jeta. Për këtë në parathënien e librit ai shkruan. ”Duke kërkuar në gjurmët e prozës së re moderne shqiptare, të kohës së pasçlirimit të letrave nga jashtësitë letrare, nuk mund të mos evidentosh një emër që, me tregimet e tij të shkruara me sharm gjuhësor dhe ngrohtësi ka bërë për vete lexuesët e shumtë të këtij zhanri të dashur letrar. Ky është Hyqmet Hasko, një zë i përveçëm në letrat tona kombëtare që tenton të sjellë në letërsi ngjyra të gjalla të jetës njerëzore.” Të bie në sy se shumë personazhe të tij zyrtarë, rojtyarë pyjesh, oficerë, policë, doganierë, hetues, mësues, fshatarë, të rinj, jetimë i takon në KAFE. Të vendosura në qytete të ndryshme me dekor të ndryshëm njerëzor, duket se syrit të tij nuk i ka shpëtuar institucioni i “kafeneve” ose i “kafeterive” dhe “çajtoreve“ si i thonë në Kosovë te shqiptarët e sotëm. Një institucion që është kthyer në një vend për ballafaqim vlerash, kundërshti, korrupsion, sozi e së kaluarës dhe e së ardhmes. Në kompozicionin e librit autori është kujdesur që ta vërë lexuesin shumë të madh në numër në një “grackë” të bukur leximndjellës që mund ta bëjë një profesionist i letrave. Nëse lexon një tregim si “ Midis dy dashurirve“ e në çast madje ke edhe dëshirë që edhe t’i rikthehesh aty për aty, ritmi i rrëfimit vjen në ngritje për ta mbyllur me novelat shumë interesante “Biri im“ dhe “Kujtime të lagura”. Në këtë zinxhir tregimesh që mbyllet me novelat rritet forca e dramës së personazheve, rritet forca e konfliktit, e dialogut e detajit shprehës, e gjuhës figurative etj. Hyqmeti mund të quhet autor i detajit. Pak përshkrime natyre ka në librin e tij. Pak digresione lirike. Lirizmi i tij shkrihet me rrëfimin me dialogun. Ai kujdeset shumë për dialogun. Ka një ritëm që nuk e ul për asnjë çast. Madje edhe personazhet e tij na shfaqen që në fillim të tregimit në forma të ndryshme. Temat që trajton libri janë ato të familjes ku paraqiten marrëdhëniet burrë -grua , prindër fëmijë, marrëdhënia e njeriut me paranë dhe me shtetin qoftë kur je i varfër, qoftë kur je i pasur, jepet fati i jetimit në shoqëri dhe elenmentët e humanizmit në trajtimin e kësaj shtrese sociale, marrëdhëniet e njeriut me emigracionin , me të huajt. E sheh këtë që te titujt e tregimeve e më tej të novelave si “Ai s’deshi t’i bënte keq shokut të tij”, “Babëzia për para” , “ Fejesa që nuk duhej bërë”, “Jetë hallemadhe”, “Surpriza pas vendimit”, “Kujtime të lagura”, “ Midis dy dashurive”, etj.
 

3.
Përetej konflikteve dhe situatave shumë interesante që jep autori Hyqmet Hasko vëren se në të ka një trajtim shumë të dukshëm e të gjërë të figurave femërore. Aq sa duket se personazhet meshkuj gati janë vënë për të realizuar në mënyrë sa më përsosmërisht dhe artistike portretin e personazheve femërorë qofshin vajza që janë të porsadashurara apo edhe nëna si Engjëllushja të novela e fundit. Ato janë mësuese, vajza, studente, jetime, gra në nevojë, etj. Këto personazhe dalin here herë me një fat tragjik. Të gjitha këto personazhe kanë një karakter të fortë, kanë personalitet të dukshëm. Brenda fragmenteve që do ta ilustronin dhe më shumë këtë mendim, do të citonim një monolog të novelës “Kujtime të lagura” . “O zot, këto janë kujtime të lagura! Gjithçka duket e lagur deri në palcë, deri në asht, si kjo natë ferri tek endemi si sonambula në një kohë e pa kohë. U ula në strehë të asaj shtëpie dhe mbështeta trupin për muri. Në prehër mora tim bir. Fli, ëmbëlsia ime, i thashë. Koka e tij më ra në gjoksin tim, por kapelen e kishte lagur. Hoqa shallin tim dhe ia mbështolla rreth kokës. Vesha pallton peliçe dhe e mbërtheva fort të ëmblin tim.. E ky portretizim bëhet me një gjuhën shumë të zgjedhur psikologjike në varësi të moshës dhe të gjendjes sociale, kulturore të secilit personazh femëror.
 

4.
Një risi e re që shfaqet që në hapat e para të prozës së tij artistike është edhe universialiteti ose së paku i një ballkanizimi të saj. Atë që ne e shohim në përditshmërinë tonë dhe që e jetojmë secili në mënyrën tone, ai na e ka dhënë me art shpesh edhe tragjikshëm, por shumë realist e me një kahje të qartë të pozicionit të tij qytetar dhe krijues në mbrojtje të vlerave të mëdha shpirtërore që ka e duhet të ketë njeriu pavarësisht se ku ka lindur se ku punon apo se ku vdes. Kur mendon se kjo është bërë fare natyrshëm, atëherë themi se edhe suksesi i librit është i admirueshëm. Ai qëmton në këtë Evropë e në këtë Ballkan, sa të bukur aq dhe të trazuar, jetë njerëzore me shumë dramë që gërshetohen si jetët e një familjeje apo të një lagjeje, po aq sa trajton edhe jetën e emigrantëve në Itali. Në këtë valë të vrullshme njerëzore, të bukur po edhe të mbushur me krime dhe me një lloj racizmi që shfaqet edhe sot në Ballkan, na jepet mesazhi se ajo duhet të jetë sot e mot Ballkani i paqes sociale. Novelat “ Biri im” dhe “Kujtime të lagura“ e japin shumë të qartë këtë risi. Duket se përvoja jetësore e tij dhe hulumtimi i shkrimtarit e kanë bërë shumë të besueshëm dhe emocionalisht temat dhe personazhet që ai i ka marrë nga kjo trevë shumëkombëshe. Nis kjo “gjeografi” personazhesh me Ledionën tek tregimi “Peripecitë e Ledionës” ku fabula e tregimit vendoset në Gjenova të Italisë. Vazhdohet me Hysen Tërbunin e tregimit “Ai s’deshi t’i bënte keq shokut të tij”. Drama e një krimi të paralajmëruar që ndodh në ishullin Rodos ndaj një biznesmeni grek që shfytëzon nevojën e një familjeje shqiptare për të marrë nderin e një vajze shqiptare është shumë domethënëse. Fabula e novelës ”Biri im “ ka si sfond qytyetin italian të Padovës dhe është bërë një ballafaqim shumë dramatik mes humanizmit njerëzor, mes portretit të heshtur të një nëne shumë të dashur, të një të papriture dhe të një fundi sa tragjik aq edhe të lumtur e të besueshëm. Për të ardhur tek novela “Kujtime të lagura” që e vendos rrëfimin në Kosovë me një monolog tragjik të një personazheje. Do të vazhdonim edhe një herë me vlerësimin kritikut dhe shkrimtarit Bedri Myftari që ka qenë dhe mbetet edhe një tregimtar shumë i talentuar sidomos me temën came. Nga vlerësimi i tij do të shkëpusim këtë mendim: “Kur lexon me një frymë përmbledhjen me tregime “Mes dy dashurive të shkrimtarit Hyqmet Hasko, seç ke një dëshirë që t’i kthehesh një leximi të dytë e të tretë dhe qasja drejt asaj bukuria të praruar e farfuritëse, ku ngjyhet pena e tregimtarit, i cili na përcjell me sharm dhe elegancë pjesë të vetvetes, të kohës së tij dhe të bashkkëohësve , të shumëzuara me aq shumë ëndrra dhe impresione. Ato gëlojnë në mënyrë të drejpërdrejtë apo nëntekstuale në çdo faqe të këtij libri të shkruar me aq mjeshtëi artistike me aq dashuri njerëzore brenda çdo rreshti dhe fjale.”

5.
Pa asnjë mëdyshje do të them se libri “Midis dy dashurive“ është një sukses i dukshëm jo vetëm i autorit Hyqmet Hasko, po edhe i tregimit shqiptar në përgjithësi. Këtu mund të sugjerionim për një drejtshkrim më të mirë të librit dhe zgjerimin e linjave të rrëfimit në novelën “Kujtime të lagura”. Buzëqeshja , dhimbja, malli, ëndërrimi, përditshmëria që të dërgon te mëkati dhe te njerëzorja, zhbirimi te bota e madhe shpirtërore e personazheve, mbijetesa njerëzore, pasioni i fortë i punës dhe i të jetuarit, mesazhi i një miqësie të fortë e afatgjatë që të shoqëron në çdo krijim e në çdo fat personazhi, i japin librit “pasaportën “ e tij të qartë e afatgjatë. Të vjen keq që në të ashtuquajtur globalizim dhe mungesë të një komunikimi kulturor libra libra të tillë me vlera mbeten shpesh vetëm në kufinjtë e ngushtë të një provincializmi të ngushtë të dy ose tre qyteteve. “Gracka” e rëndë e mundesisë së një shpërndarjes të librit të shkruar është vërtet e dhimbshme, pasi shumë vlera mbeten të mbyllura në një gjeografi të ngushtë. Në këtë “ Mëkat kulturor“ që i bëhet kulturës së vërtetë që krijojnë shkrimtarët tanë padyshim është dhe libri që porsa kemi marrë në duar i poetit dhe prozatorit Hyqmet Hasko

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen