Montag, 20. Januar 2014

Raimonda Moisiu - Malli për Korçën

Gjithmonë kam pasur optimizmin dhe besimin se përvojat jetësore indikojnë në mënyrën se si gjithkush nga ne mendon e vepron me cilësitë e virtytet që mbartim në vetvete. Situatat, ngjarjet, njerëzit e thjeshtë, qytetarët, intelektualët, njerëzit e letrave shqipe, elita e shquar e botës hyjnore të artit e kulturës, përballen e kontribuojnë gjatë jetës së tyre në forma e përmbajtje të ndryshme.
Ashtu si edhe unë, ata kanë qënë e janë optimistë, besojnë në ndryshimin dhe progresin duke dhënë nga forca e inteligjencës e qytetarisë, forcën e talentit të mëndjes së shëndoshë dhe krahëve të fortë, më të bukurën e të mundëshmen që mendimet dhe idetë e tyre të ndryshojnë zemrën e identitetit të vendlindjes, identitetit tonë. Ambiciozë për të kaluarën e të tashmen, cdo ditë që vjen na gjen më të rritur e të pjekur dhe ngadalë kuptojmë se duhet të punojmë e jetojmë për të njëjtat obligime e qëllime, për hir të gjeneratave që vijnë, të pergatisim rrugën e përjetësimit të veprës e qytetarisë, të njerëzve të shquar të cilët kanë lënë gjurmët e arta të progresit qytetar, social dhe krijues. Jo vetëm gjatë fëmijërisë e rinisë sime por edhe tani, unë kam qënë gjithmonë dhe e kam konsideruar veten time me “fat” që jam lindur, rritur dhe edukuar në një mjedis mondan e historik, me “fat” që jam qytetare pasardhëse e elitës së shquar qytetare korcare , simboleve të eposit shpirtëror, sfidës që kapërcen kufijtë etnikë të sublimes dhe aspiratës nëpër vite, në kohë e hapësirë, dlirësisë të kontributit njerëzor, talentit krijues, midis dy botëve; botës ku ne ndjehemi se i përkasim vazhdimisht në nivele të reja, momenteve të jetës së përditëshme dhe dimensionit të ri, ku pena ime bëhet analogji për të prezantuar imazhin e gjallë të njerëzve të shquar dhe subjektet në shumicën e tyre janë në dijeni të pavdekësisë. Sa herë vij në vendlindje, Korça më duket më e bukur, malli për të më shtohet akoma më shumë, dua të prek me dorë, mendje e shpirt gjithçka që mban brenda zemra e saj, të eci e shkujdesur në sokakët me gurë dhe pastërtinë e tyre, ashtu si dikur kur hodha hapat e para, apo belbëzova për herë të parë emrin e vendlindjes sime, që më bën të ndjehem krenare, që me themelimin e saj është mbartëse e bukurisë natyrore dhe mondane, traditës, historisë, dijes, kulturës, dashurisë, njerëzve të shquar që kanë bërë e bëjnë historinë e saj. Dua të prek e shijoj aromën e blireve, të ndjej melodinë fëshfëritëse të gjetheve e përzierë me melodinë e serenatave, të më puthë krahët, fytyrën, buzët, era e freskët e mëngjesit, ashtu sikundër “puth” shpatullat e Korçës sime mbështetur përjetësisht në malin e Moravës. Të prek e ndjej nga afër idealizmin e qytetarisë korçare për zhvillim, për ta pasuruar e zhvilluar Korçën në çdo aspekt. Çdo gjë që shoh, kudo që unë hedh sytë, shoh mendjet krijuese në forma të ndryshme; ndërtesa, libra, piktura, skulptura, monumente, lulishte me barin e blertë e aromën e luleve shumëngjyrëshe, qetësinë e qytetit, ecjen e njerëzve me kohën e për kohën, ndërtesat antike qindravjeçare mondane dhe historike, shtëpitë karakteristike, trashëgiminë kulturore, qytetare dhe intelektuale korçare, që në përfytyrimin tim janë si ato pikturat që kanë ardhur e të tjera presin të vijnë në jetë, piktura që komunikojnë mesazhe të thjeshtë e komplekse, një dialogim i së kaluarës, qartësi e së tashmes, udhë e së ardhmes, pa njohur moshë dhe flasin gjuhën e çdo kulture. Këto ndjenja të shpallura në forma të ndryshme janë shprehje e festës së jetës e përjetësisë. Ato mbartin në vetvete pasurimin me kulturë, art, bukuri, dinjitet dhe sigurojnë identitetin e qytetarisë korçare, sfidës, sepse ato kërkojnë kohë për të kuptuar dritën dhe bërë të njohur emrin e qytetit tim Korçës.Unë si bijë e lindur dhe e rritur në Korcë, i besoj shumë qytetarisë dhe inteligjencës së shpirtit korçar, që gjithmonë më frymëzon mua dhe që është gjithmonë në ecje, gjithmonë në ndryshim, kontributi i saj është kompleks, i gjallëruar, sepse edhe vetë dashuria për vendlindjen vjen nëpërmjet promovimit të vlerave të kësaj qytetarie, ndikimit të zhvillimit, progresit e begatisë të qytetit, si premisa bazë për enticitetin e botës të artit,kulturës e dijes, që e pasurojnë të tashmen tonë mes të bukurës e të përditshmes njerëzore.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen