Samstag, 20. September 2014

Interpretime mbi magji përjetimesh të vargëzimit

 
Zejnepe Alili-Rexhepi
 
  • (Rreth vëllimit poetik të Nexhat Rexhës, “Fluturojnë zogjtë në kafaz”, edituar nga Shtëpia Botuese "Beqir Musliu" )
 
Të ecësh me ritmin e idesë së përkapjeve motivore në vëllimin poetik “Fluturojnë zogjtë në kafaz” dhe për të profilizuar imazhin letrar të Nexhat Rexhës, duhet vëmendshëm të zbulosh se cila është udha magjike e vargjeve të librit, i cili e ka formësimin fillestar të një periteksti njohjesh e udhëzimesh për lexuesin. Poezitë sendërtohen nga ide të drejtpërdrejta e të tërthorta, por e ruajnë origjinalitetin individual të krijuesit. Ky lloj raporti me lexuesin, që në fillim e rrit interesimin për përkalimet e situatave, të cilat përmes vargëzimesh e frazash rrëfimore, sajojnë një monografi “të vogël” përshkruese.
Në këtë libër, ndihet thelbi i formësimit poetik, që njeh vrojtime intelektuale si përsiatje e rëndësishme e ngjarjeve të kohës, të aktualitetit, por edhe ca arnime tjera, të lëmshëzuara a të djegura gjatë trazimeve historike. Kjo e formulon edhe parimin mbi pritshmëritë poetike të krijuesit dhe lexuesit, në raport të ndërsjellë me njëri-tjetrin.
 
 
 
SIMBOLIKA E GURIT
 
Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë në kafaz”, përcjell kode deshifrimesh jetike, teksa interpretimi metaforik i vargut vë në pah poetin e afirmuar, që është koshient për fuqinë shprehëse të vargut që sajon: “Dhe asnjëherë gjaku im nuk ndërroi ngjyrën”. Me qasjen mbi sfondin dhe formulimin tematik, vëmë re sendërtime vargëzimesh poetike, ku frymëzimi dhe vrojtimet e pafundme të poetit Nexhat Rexha, destinacion kryesor e kanë Atdheun - fjalëkalimin e damarëve të trupit. Ndjesi kjo, që poeti e bart edhe në ëndrrat e fjetura, e atëherë përmallshëm pohon: aty është shkrepur grimca e grimcave tona...
Imazhet e ngritura mbi thellësi përjetimesh, edhe sikur të digjen nga ngushëllimi shekullor, vijojnë të mbeten mesazhe gurësh për të gjithë ata që trokitën dyerve të metropoleve, e Atdheu..., mbeti simbol humnerash të fashitura! Përdëllimi i tillë poetik, është rrjedhojë e ngjarjeve shqiptare permanente, nga trualli Arbëror si “Guri i virgjër, emri i vjetër”..., përballë të cilit gjejmë qasjen serioze, në përshkrimin mjeshtëror, të poetit. Në këtë botë reale, parametrash të prishura, liria njerëzore nuk e ka të njëjtën vlerë, prandaj poeti flet për ca “Njolla të kohës” (16), që të duket se janë parabola dhe njolla nga të cilat edhe “Dielli vonoi sot” (17).
Përshkrime ambientesh me pasiguri jetese, përkunden si ngujim i përgjumur..., fjalëkalimi i të cilave gjendet nëpër damarët e trupit të shqiptarit..., si bie fjala “Në Berivojcë pas 1981/Varrezat e njerëzve që ai kishte la/...“ ashtu si dikur që rrugëzgjidhja nga trishtimi kolerik solli largimin për në Anadoll, atë rrugëtimin e gjatë, në uri e leckosje... Eh, sa ironike kjo poemë e shpërnguljes!
Të tilla fate ravijëzoheshin në jetën e shqiptarëve. Pastaj, natë e zezë rra mbi këtë truall, gjithandej fashitej me vetminë harrestare, për ta sfiduar atë luftë zemre që ngulmonte të mbishkruante disa “Mesazhe gurësh”, si formë rrëfenjash kur: “Kuçedrës ia kemi zënë pritën/Dhe mashtrimi i saj ndër ne nuk ka vend/varrin ia kemi rrethuar me gurë/Mbi epitaf digjet qiriri ynë” (27). Ky narracion i vargëzuar është si kuvendim koordinatash kombëtare, sepse të njëjtat psherëtima, mall e brenga..., ruhen “Në pikturat e gurëve/Që flasin shqip me shekujt”.
Kështu, një baladë e lashtësive ilire, në përkalime shekujsh, risjell “Baladë për 2012”..., mirëpo siç duket mrizimi nuk ndodh më - kopeja e njerëzve dhe e deleve u shkëputën dhe në arenë mbeten “Shqiptarët dhe Evropa”..., pastaj sikur ata presin të vijë “Vjeshta me bastun” apo ndoshta të ndodhë ndonjë “Aventurë muzgu”, përderisa të parët, shqiptarët, e kuptojnë që Kjo stinë nuk ka të sosur dhe lëshojnë ofshamat kundrejt të dytëve Gjakut ngjyrën mos ia katandis, është lutja jonë e vetme, e ngritur deri në ironi.
Këto situata rrëfimesh dramatike janë në dyluftim me spastrime mëkatesh, për të besuar në mëngjese të reja, e shqiptarët e duan, e mirëpresin agun e një dite të re! Mandej, mbeten dhe ca çaste kur poeti, harrimit i jep pushim, meqë nuk e mban mend sa kalimtarët bredhin nëpër motmotet tona (105), e mallëngjyeshëm pohon: sa gof kam për ty! Pas leximit të këtij libri, të ngulitet bindja se fati i shqiptarit ka lashtësi dhe pathyeshmëri guri, të tjerat nuk janë parësore, ashtu siç edhe është shprehur F. Konica: “Dhe në fund, nuk numërohen vitet e jetës tuaj... por jeta gjatë viteve tuaja...”.
Megjithëse, si njohës i përvojave të universalizmit letrar, si eseist e kritik, Nexhat Rexha, edhe në poezi, po me aq estetizëm ndjesor u dorëzohet tingujve të simfonisë të mallit të purpurtë, si një ansambël ndjenjash që nuk zvetënohen. A thua një ditë, çdo histori është e destinuar që të perëndojë bashkë me autorin e saj, apo është poeti ai që e përjetëson atë, me qëllim që poezia t’i përshtatet një funksioni që do të manovronte edhe brenda konstruktimit formësor të saj?!
Kumti i fjalës dhe magjia e përjetimit, i japin dritë imagjinatës së pafundme të poetit dhe si copëza rrëfimesh metaforizuar sumbojnë në shpirt, si neonët e metropoleve, që përndrijë ashtu të pa trazuar. “Fluturojnë zogjtë në kafaz” është një libër përsiatjesh të thella e filozofish të pazbërthyeshme deri në fund, që natyrshëm trason rrugën për te lexuesi i vëmendshëm, përherë në gadishmëri deshifrimesh të kodeve letrare.
 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen