Mittwoch, 22. Oktober 2014

Rrahim Sadiku - Si besim i ri

(tregim, i tëri imagjinatë, nuk është i tëri fantazi)

Ishte ditë pranvere e natyra thërriste për lëvizje. Ashtu si isha i mbërthyer në shtrat, më bëhej se koha më kishte vën parfundi vetes dhe pamundësia për të bër diҫka, së paku diҫka, po më bëhej rraskapitëse. Në vete po mbetesha askushi. Mendova të mos mendoja. Dhe krijova për veten një botë më vete, ku jashtësia nuk gjendte vrimë të futej. Ishte një lojë që më kishte shpëtuar disa herë nga mundimet e mia. Ishte si lojë. Dhe si gjumë, nëpër dmarët e të cilit nisa të shkoja dikah, i përcjellë nga Tefta. Atyre rrugëve ajërore ecim shpejt e pratë, diku na pret dita, diku takohemi me natë. Diku me shoqërohemi me shi, diku sikur freskohmei me bore; diku hamë banane, diku disa qenie të panjohura na e bëjnë me dorë… Ecim e ecim. E gjatë kjo rrugë, e gjatë… Duke menduar kështu e kuptova se s’di për të satën herë isha harruar në trillet e imagjinatës sime, që nuk ishte një me ëndrrën e që e tejkalonte njohjen. Në etjen, dhembjen dhe shpresën time atëherë sikur vinte e ngulitej një kënaqësi e habitshme, shoqëruar nga një zë që mëkonte mendjen, të gjitha poret e trupit. Shikoja ato momente edhe Teftën dhe më bëhej se ajo po përjetonte krejt ndryshe dhe shumë më bukur gjithë këtë. E gjitha madhështore, e gjitha imagjinatë!... Si kurrë ndonjëherë në jetën time, po e ndjeja peshën e lojës së kohës dhe ndryshimet e saj në hapësira të ndryshme. Isha bër grimcë hapësinore, në pulsimet e gjithsisë. Ajo po më dërgonte milionvjeҫarëve të saj e unë po lodhesha. Dëshira po më shtynte përpara, lodhja më kishte vën përfundi. Ofshmja më thoshte se nuk kisha mbetur as për vrapime tokësore në staza të shkurtëra e le më endesha si i vërtetë në gjithësi. Më vinte keq që me mua, ndoshta vetëm imagjinatës, ishte edhe Tefta. Tefta po më jepte një qetësues dhembjesh, kur në mua nisi të më fliste ëmbël një zë tejet frymëzues. Je në kohën e panjohur për njerëzimin e në kohën më reale për ne – po thoshte zëri e unë kisha përpara një dritësim magjepsës e një shikim thellësie të paparë. Kjo është natë mashtruese – mendova, ndoshta vdekja po më merr me të mirë. Kjo është ditë e bekuar, andaj edhe do të mbetet e paharrueshme për ty – sikur dëgjova. Midis qenies e mosqenies, kjo e paharrueshmja po më pëlqente më shumë. Me miliarda ngjarje, me miliarda lindje e vdekje, me miliarda krijime e shkatërrime, që nuk numërohen, janë këtu, rreth nesh – vazhdonte zëri. Dhe, mu te kjo pamundësi numërimi nga mendja johyjnore është gjithë e madhërishmja, e amshueshmja. Është adhurimi për krijimin dhe fuqinë. Adhurimi që i duhet besimit, kur ngulitet këtu e nuk përfundon asnjëherë. Këto të gjitha janë dhurata dhe punë të Krijuesit, të cilin një mendje si ju, po as si kjo e imja, as mund ta mendojë, as mund ta imagjinojë e as ta përkufizojë dot... Po dëgjoja e po ikja nga padurueshmëria e vuajtjeve shpirtërore dhe vogëlsia e gjithë asaj që më kishte rrethuar tashti. Tutje e gjitha po më shndërrohej në madhështi. Sa do të doja të kisha mundësinë të regjistroja gjithë atë që ndodhte, gjithë atë që sikur ndodhte dhe gjithë atë që besoja se po ndodhte. Isha një me të papërsëritshmën. Më i lehtë se një flutur, më kënaqësisjellës se një puhi, më i ndritur se mendja më e ndritur, më lis se secili lis. Gjithë ato ndryshime kisha para syve e nuk tundesha fare. Dhe, o mbarësi, pas kaq kohe nuk ishte më e pranishme ajo gjëja që më torturonte, që kujtonte se më nënshtronte, që shpenzopnte orët e veten të më poshtëronte – me mua nuk ishte plaga e vuajtjet e shkakutuara nga ajo. Mendoja kështu e hapësira hapej e hapej, thellohej e thellohej, shpërthente e mblidhej. Trupat e lëvizshëm qiellanjave shndërroheshin në fishekzjarre gjigante e në reflektime të gjata e të befta. Të gjitha ngjyrat e mundshme e të pamundshme gërshetoheshin midis tyre e kjo sikur e mundonte dhe e lodhte shumë mendjen time të gjorë. A është kjo ajo që ke menduar se është madhështia dhe e përjetshmja – sikur më pyeti Tefta. Për mua e gjitha i ka kaluar shumë, tepër shumë, kufinjtë e asaj që kam mundur ta mendoj, të asaj që ndoshta ndonjëherë kam menduar ta ëndërroj dhe të asaj që edhe pa e ditur, me mendje e me zemër kam dashur ta besoj. Kjo duhet të jetë e madhërishmja, kjo duhet të jetë kuptimi i lindjes dhe vdekjes, i ndërtimit dhe shkatërrimit, i botëve pa kufi. Andaj po i falënderohem Krijuesit që ne njerëzve na i ka dhënë të gjitha mundësitë, duke na paisur me mendje, duke na krijuar të ndjeshëm dhe me mundësi të kuptojmë së paku diҫka... më Bëhej se fliste Tefta e unë po dehesha duke parë e duke shijuar, duke ndjerë e duke synuar edhe më tutje, sepse syrin e shpirtin tim, mendjen e etjen po i ndillte diҫka që nuk ishte në mua e që më ishte futur kudo në trup e në rrugëtimin e mendjes. Dhe ndërkohë po futesha një livadhi pa kufinj, një shtrijej në të gjitha anë kufiri që lidhte botërat; kisha nisur e po endesha nëpër botëra që kishin kohën e tyre, historinë e tyre dhe gjallërinë e tyre. Po hyja në ato botëra ku vdekja nuk ka vend e ku gjithҫka shndërrohet për të shkuar tutje, nga ajo që nuk është kurrë nismë e për të synuar të arrijë atje ku mbarimi nuk ekziston. Nga ky pafillim e pafund mund të niset kuptimi real për hyjnoren – sikur më foli nga një diku, nga një thellësi me bukuri trullosvse ai zëri që dukej se më donte, më besonte e që kishte vesim se do të më shpëtonte. Mu bë se kishin kaluar vite qëkur nuk e kisha dëgjuar atë zë e qëkur vetja ime ishte në njëfarë përhumbje të këndshme. Nuk e di se si më erdhi në mend se edhe aty mund të kishte demonë. Ligësi. Vuajtje... Desha të pyesja, po nuk dija kujt t’i drejtohesha e zemra nuk më bënte të prishja rrjedhën e asaj bukurie, duke e përlyer me mendime shëmtie. Kjo hamendje e imja nuk zgjati shumë, sepse më erdhi përgjegjja. Botërat janë të Krijuesit, po ka edhe kundërbotëra. Krijuesi ndërton, ato mundohen të shkatërrojnë. Kur rrezikon shkatërrimi, Madhëria e Gjithëfuqishme, Krijuesi, zgjat dorën e Tij dhe e gjithë ajo që është shkatërruar, e gjithë ajo që mund të shkatërrohet dhe e gjithë ajo që mendohet se mund të shkatërrohet, merr rrugën e rilindjes, të paprekshmës, të amshueshmës.
Mandej e gjitha u kthye në botë time. Dhembja erdhi e zuri vend në trupin tim, nisi të gërryente mendjen time e të më kujtonte se nuk jetohet nga imagjinata dhe nga e përkohshmja. Nuk e kisha pranë Teftën, po sy që më donin e zemra që ishin brengosur për mua pashë e ndjeva kudo përreth. M’u bë se rinia po fitonte e se po e mundja sëmundjen dhe humbjen po e zëvendësoja me vendosmërinë e gjetjes së një bote, njerëzore e reale, të urrejtshme e të dashur, me ëndrralla e me bukuri... Pjesë e asaj që kisha parë, kisha ëndërruar ose e kisha patur vizion pak më parë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen