Samstag, 20. Dezember 2014

Fran Ukcama - Lutje mbi varrin e mamasë

Nga romani "Zëmra e nënës - shegë e plasur"

       Kaceli, tani mbante emrin Marko. Kishte dokumente italiane si student. Garante doli gjyshe Xhulia. Ajo i bëri dhe një propozim befasues; dëshirën për birësim, por Marko Bungu nuk kishte vendosur, pikë sëpari se nuk donte ta helmonte më tej zemrën e një nëne që e priste me ditë e me vite si cung i rënë rrufeja në qytezën malore, pa shpresë e pa rreze në sy. Njëri sy i verbër po merrte me vete dhe tjetrin se sëmundja e diabetit po i kërcënonte jetën. Prej mërzie i erdhi edhe ky siklet, që iu shfaq tri-katër ditë pasi i iku djali. Ky ishte e përsëri mbetej pengu i jetës për Markun…
       Kur u nis për në varreza nisi një shi me bubullima e vetëtima, a thua vetë Zoti e kishte ngarkuar qiellin me kaq brengë e mundim. U zbraz barku i qiellit sikur sipër të kishte një oqean me ujë. Makina u mbulua nga re të zeza si perde, të cilat kishin zënë shtigje e rrugë dhe rrinin pezull mbi degët e plepave. Shkrepëtimat gjarpëronin mbi kokat e shtëpive si një fjongo e zjarrtë. Marku u afrua te varri i mamasë, në atë kohë, si me porosi gjithë ky shfrim natyror u largua duke hapur një qiell të pastër si qelq. Fillimisht ca rreze si prozhektor në skena dramatike spërkatën pllakën poshtë së cilës prehej shtati i nënës. Lexoi emrin Lina Bungu, 1960-2013 dhe shënimin:
 

“Mbete vetëm si një korbë, djali iku nëpër botë,
si qiri të shkriu morti, dhe në duar të mori Zoti”
.
 

        Ky varr u ndërtua nga Sebastiani për nderim të motrës Lina. Daja e kishte varrosur, bashkë me komshinjtë dhe të afërmit e saj. Edhe qeni Kuini nuk iu nda për asnjë çast. Marku ngashëreu në lot dhe u duk se mbi mermerin e bardhë, lotët e ngjelmë lanë shenja e krijuan disa vrima. Me Markun ishin Dila dhe tezja Liza.
        Ndiqnin sjelljen e habitshme të djalit plang-prishës që në të gjallë të ëmës i dhuroi asaj urrejtjen e përbuzjen dhe tani nuk pushonte së qari. Një kthesë e tillë vetë zemra e Zotit mund ta shpjegojë. Marku hapi ngadalë zarfin që nëna ia kishte lënë Dilës dhe nisi t`i shkokëlojë fjalët me mundim e dënesë, duke iu dridhur duart e lotët duke u rrokullisur si bulëza vese në gojë.
       - O Zot i Madh që je në qiell! Më ndihmo të vdes, por dhe kur të më marrësh atje lart, mendo se këtu në tokë kam lënë shpirtin, kam lënë synin,kam lënë dritën. Po vij drejt prehrit tand o Zot, e shkrimë si gjethe në flakë, e shkrumbueme si gaca në prush, e bame thëngjill si unë në hi. O Zot, m`i ço fjalë synit tim, dritës sime kudo ku asht! I thuaj se nana mbylli sytë... I thuaj se nana të ka dashtë e të do ma fort se dritën e synit… I thuaj o Zot që të kthehet në votrën e tij, ku ka rrënjë e pasuri, të tana ia kam lanë gati… Eh, edhe ata pak lekë që kisha në bankë i ka, dhe kujtimin tonë të të atit dhe të nanë shkretës , aty në mur i ka, të varun krah për krah... I thuaj të kthehet për hatër të Kuinit se ai tash ka mbetë jetim te dera e shtëpisë e nuk ka kush e pajton, ai m`i mbylli sytë me putrat e tij, kush ia qan hallin? Kush i largon dhimbjen e mërzinë? Dhe amanet o Zot, i trego sa e bukur kam kenë në rini, vajza që e lakmonin tanë djemtë e katundit, me shtat si kumbull, e hollë e gjatë, me sy të kaltër, me faqe si molla… Më lodhi jeta ,më shëmtoi koha dhe u bëra qorre, sall prej Arit... Po,po prej Arit. Veç tash po ia kallxoj, fije për pe.
        Po bir, ti më fute pa dashje thikën në sy kur po qëroje mollën, unë klitha e u rrokullisa në shkallët e shtëpisë, ku theva edhe kambën, mbeta dy herë sakat, pa sy dhe si pata, çalamane... Por prapë isha e lumtur se kisha ty, o bir. Po ti o bir nuk kuptove se nana asht nanë, e mirë apo e shëmtuar qoftë, se zemra e nanës është e thellë sa deti, e naltë sa mali e dritëzuar sa dielli, e ëmbël sa mjalti... Ti o bir u munde nga shokët e ligj dhe urreve nanën që të bani kokën, që të rriti me thërrime, me vuajtje e mundime… Ti i ktheve shpinen e ike, ike, ike... Më le qyqe anës votres... Kurrë s`m’u thanë lotët e synit. Kurrë nuk pashë rreze prej diellit... M`u nxi jeta e m`u ba bash si ngjyra e ziftit. Prita te pragu, prit e s`ka... U sos jeta ime, zemra te guri më ra. Copa u ba. Nana kurrë nuk të harroi, nana kurrë nuk të mallkoi, nana priti dhe duroi, si mali nën borë, si rrasa nën zjarr dhe u shua si kandili i mbetun pa vaj, o bir. Gjitha t`i kam falë, gjinin, mundin, vuajtjen, të gjitha nana ty t`i ban hallall! Fal zemra e nanës, se asht ma e gjanë se hapsina, ma e plotë se galaktika… Dhe o bir, këtu ke këtë unazë. Amanet ta mbash o bir! Këtë gur xhevahir kur të martohesh t`ia dhurosh nga mua nuses që fort e dua, edhe pse pa e pa dhe pa e ditun kush asht...
        Të puth nana fort me mall bir, o shpirt, djalë, o xhan , oh nuk mund, nuk mund të pres. Po nisem në Parajsë do të pres!
        Letra kishte njolla e vraga… Duket lotët çurkë kanë ranë... E dëgjuan tregimin heshtun Dila dhe Ded Potera, Liza dhe Kuini, që si qen me ndjenjë njeriu ishte ulur te kryet e vorrit e kokën mbante lart, sikur dhe ai po i lutej Zotit... Mbi maja, pa ikur mirë dielli, kishte dalë si kosë një hanë. Marku, fshiu lotët e nxehtë e lëshoi një gulshimë si ulërimë ujku:
       - Më fal oj nanë! Më fal o zemër, o shpirt o yll, o det! Ti ishe e mbetesh nana, ma e madhja në jetë ! O zot si mund ta shlyej këtë mëkat të madh o Zot…?!
       - Auuuu! - Kuni nisi të vajtojë.
***
        Muzgu ra mbi varre e kodër, yjet lart lëshuan xixëllimat si në një lodër, fap- fup, fap- fup, një nga një. Retë nisen të rrallohen duke u mbështjellë si shall gri te koka e malit. Këtu ra perdja e kësaj drame. Drame e një nane të madhe, e një djali që nuk e deshi, por shpesh dhe e përqeshi… Sot i kthyer pas kaq vitesh emigrimi, vajton ranëm, mbytet në lot pendimi… Po lyp nënën, por nënë s`gjen…
       Ajo prehet nën dheun e ftohtë, shpirtplasur...
       Ai kërkon i trishtuar por nënë nuk gjen më në botë. Veç një nënë ka çdo njeri, kuurrëëë, nuk bëhen dy! Dyluftim me veten..pendim, vonë!
Kur shkoi te shtëpia, hapi derën që nga ndryshku lëshoi një rënkim, krrauuu. Te balli i oxhakut, me thëngjill Ari shkroi në mur:


Loti plas rrasën e varrit
Ika nënë dhe nuk të pyeta,
ika prapa diellit,
plasi shpirti t`u ba rriska,
prite ditë e prite natë.
Në mes shiut, borës, vrerit,
asnjë fjalë, as zë kurrë nuk të erdhi,
t`u myk fyti,
t`u tha veshi,
... syni u kthye në mjegull,
breshër mes rrebeshi,
kurrë për ty nuk qeshi dielli,
ylli i vetmuar i mëngjesi,
t`u rreshk loti, syrit, i shkreti…
Tash unë erdha dhe s`të gjeta,
veç një pllakë, akull, mbi varr,
sipër fotografisë tande, vetem qaj… e qaj...
Unë po qaj me lot pendimi,
lot si shi, rrëke prej qiellit.
Aq i thellë asht tundimi,
sa plas rrasën e mermerit…
Më fal moj nënë,të ktheva shpinën,
Një ditë zeze pa të thënë,
Mot e jetë jetim unë mbes…
Mbes dhe fajin kurrë s`e laj,
Më fal o nënë, më fal o nënë…!


        Mbeti i ngrirë si statujë para fotografisë, ku i buzëqeshnin nëna dhe baba. Nëna dhe baba kur ishin të rinj, si dy pëllumba. Fotografia ishte mbuluar nga pluhuri dhe tymi. Lotët që ranë mbi të krijuan disa vraga si gurrecë…
        E fshiu me pëllëmbën e dorës. Ata sikur po i flisnin:
       “U ktheve bir, mirë se të pruni Zoti!” Marku murmuriti:
       - Po, u ktheva dhe dijeni o prindërit e mi, këtu do të ngul thonjtë e shpirtit, këtu në vatrën time do ta ngre jetën. Këtu në tokën time! Më nuk do të largohem, më nuk do t`ju braktis“.
       Puth fotografinë e qaj me ngashërim, puth dhe qaj. Aty erdhi Ded Potera, e kapi prej krahu.
       - Boll bir, boll biri im, bahu burrë! Marku dhe Lina ta kanë fal gabimin, ata tash po festojnë në parajsë. Ata tash po gëzojnë për ty. Qe, hapi koha e dolën yjet, ja atje po të kundrojnë nana e baba, po qebesa, po! Sonte eja me mua në shtepi. Nesër kuvendojmë gjatë si do fillojmë rindërtimin e shtëpisë.
        Të dy, Ded Potera dhe Ari morën përpjetë rrugën për te kulla në kodër. Kuini kokulur u shkoi nga pas. Hëna kishte dalë në vetull të malit dhe sonte ndriste sa një mijë llamba neoni.
        Qytezën e kishte mbuluar velloja e kuqerremtë. Pas një shiu me rrëmbim ishin larë yjet e të gëzuar lodëronin rreth hënës si fëmijët në prehër të nënës.
Jetimi është si gur i këputur prej shkëmbi, si gur rrokullisur në përrua. A gjen paqti guri mes valëve të përroit? Aq edhe jetimi, ka paqëtim.
        Si dihet edhe guri ndoshta zë vend, edhe Ari ndoshta ka nxënë mend. Ama guri, po u ngul në tokë, bëhet si shkëmb. Ndoshta edhe Ari do të eci në jetë. Amanetin e nënes nuk e tret dheu. Fati dhe shpresa do t`i prijnë udhëve të reja
        E nesërmja do të prijë në të tjera shtigje të panjohura!
        Kurajo Mark, besim dhe shpresë !


Fier, Prill 2014

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen