Sonntag, 20. September 2015

Sejdo Harka dhe "Modernët e kohës"

Edhe ylberi po të shfaqej gjithnjë në qiell, nuk do ta shihnim më!...

(“Modernët e kohës”, në penën e studiuesit dhe kritikut Sejdo Harka)

Shkruar nga: Viron Kona

Në kopertinë bie menjëherë në sy një kornizë bosh. Letërsia dhe arti kështu e kanë, duhet të vrasësh pakëz mendjen, që ta kapësh mendimin apo mesazhin që kërkon të përcjell autori. Poshtë asaj kornize boshë, jo të paqëllimtë, autori shkruan titullin e librit: “Modernët e kohës”. Duket sikur do që të na thotë: “Unë kam studiuar dhe kam sjellë në këtë libër disa autorë, që i konsideroj “Modernë të kohës”, ju mund të sillni edhe të tjerë, që kanë vlera, mbase edhe të ndryshme nga këta që kam sjellë dhe kam skalitur unë me dashuri e durim, duke studiuar dhe qëmtuar veprat e  tyre, libra pa fund dhe duke dashur t`i paraqesë ata nëpërmjet fjalës dhe mendimit tim, të tregojë për punën, mundin, krijimtarinë, mendimin artistik, fantazinë dhe vlerat e tyre”. Sigurisht, askush nuk mund të ketë monopolin e  vlerësimit dhe mos vlerësimit, i mirë, i keq; i madh, i vogël, modern, jo modern...Sepse, siç thotë i lashti Teognid:

...As Zeusi,
Nuk u pëlqen të gjithëve,
As atëherë kur bie shi,
As kur s`e lë të bjerë.”

Njerëzit e dijes dhe të artit, duke u përpjekur kërkojnë perfeksionin, bëjnë sa mundin, japin më të mirën e tyre, vihen me vullnet të plotë dhe përkushtim në garë për të arritur me të bukurën, të vërtetën, atë që është më e mira për njerëzimin, që i shërben zhvillimit.

Nuk është se kjo “garë” ka stacion, ajo vazhdon si lumi që nis nga burimi dhe çon pareshtur ujë në det, duke e ushqyer detin me ujë dhe kripëra... Sejdo Harka nuk merr përsipër të paraqesë të gjithë modernët, apo të gjithë ata që kanë prirje moderne, por, ai, në një libër që, gjithsesi është i kufizuar, paraqet disa prej tyre, duke filluar nga yje të njohur në mbarë botën e, deri te shkrimtarë të  truallit të begatë shqiptarë, të djeshëm dhe të sotëm, por që kanë tërhequr edhe këto kohë vëmendjen e tij për prodhimtarinë cilësore të letërsisë që bëjnë, për mesazhet mbresëlënëse që përcjellin, për vlerat letrare dhe veçori të tjera që karakterizojnë veprat e tyre.

Nga leximi i librit, krijoj përshtypjen se Sejdo Harka i përmbahet idesë se, ashtu siç një  kopsht nuk mund të jetë i plotë dhe i begatë vetëm me disa lule, qofshin ato nga më të rrallat dhe më të bukurat, ashtu dhe kopshti i letërsisë nuk mund të jetë i plotë vetëm me disa emra krijuesish. Sado të mëdhenj mund të jenë disa krijues, ata nuk mund të kënaqin dhe t`u përgjigjen të gjitha interesave, shijeve dhe kërkesave të gjera e të larmishme të mijëra lexuesve. Siç thotë Gëtja, “Edhe ylberi po të shfaqej gjithnjë në qiell, nuk do ta shihnim më”.

Sejdo Harka vjen me një libër të veçantë, të rrallë për kohët që kalojmë, një libër kritikë me analiza letrare, esse, portrete, me mendime estetike dhe social - politike, duke u përpjekur t`i bëjë skaner kohës që jetojmë dhe asaj që lamë pas, gjithnjë duke analizuar një grup shkrimtarësh, krijuesish, njerëzish që si edhe shumë të tjerë, sakrifikojnë kohën, mundin, energjitë që t`u japin diçka nga vetja bashkëkohësve, t`u falin edhe kënaqësi estetike, por edhe t`u rrëfejnë me gjuhën e artit eksperienca përgjithësuese, apo edhe personale.

Nis libri me artikullin kushtuar persianit  të madh Xhelaledin Rumiut, të përkthyer nga Riza Lahi, ku Sejdo citon se, nga dashuria:

“Edhe dhimbjet mërgojnë,
Edhe vdekja vjen e bukur, si këngë...”

Teksa zbërthen më tej mendimin se “ai di t`i shkrijë mirë ëndrrat e njeriut me ato të hyjnive”…Vazhdon me veprën “Flladi i Orientit”, përkthim i Perikli Jorgonit, poezi moderne të botuara nga Fondacioni Kulturor Iranian “Saadi Shirazi”...

Është natyrshme që, për shkrimtarë të mëdhenj të ketë shkrime nga më të ndryshmet, për ata është shkruar në dekada dhe shekuj, sepse veprat e tyre u ngjajnë minierave të pasura, në të cilat sa më shumë gërmon, aq më tepër dhe më cilësore shfaqen mineralet që zbulohen. Prandaj dhe projektorët e studiuesve ndriçojnë galeri dhe shtresa të ndryshme, herë sipërfaqësore dhe herë në thellësi, por gjithnjë tek të mëdhenjtë mbeten gjëra të pathëna, të pashkruara. Ata janë kambanë për kohët kur kanë jetuar, për shekujt që kanë kaluar, por edhe për kohët e sotme. Ata flasin dhe bashkëbisedojnë me kohët.

Sejdo Harka i sjellë veprat e tyre në këndvështrimin e  tij, gjithnjë me kulturën dhe fokusin e një studiuesi elegant, të çiltër dhe të sinqertë. Lexuesi njihet me analizën që ai i bën librit “Ah ky Esenini!”, shkruar nga Vasil Premçi, i trajtuar me dashuri dhe ndjenja të bukura që vijnë nga kambanat e dashurisë drithëruese të Eseninit... Ndërkohë që, Sejdo, u bënë analizën dhe vë në dukje disa nga idetë më të rëndësishme të këtij libri të vlefshëm për letërsinë tonë, i cili jep edhe një informacion të panjohur më parë për Esenin, gjeniun e poezisë ruse.

Tërheqin vëmendjen shkrimet: “Ëndrra e “Kamorros” për të sunduar”,  “Prushi që shkrin akullin e shpirtit të sulltanëve”, “Naim Shqipëria”, - ku me të drejtë, autori nënvizon: “Edhe pse Naimi punoi dhe jetoi larg trojeve, ai, me penën e tij bëri aq shumë për Atdheun, sa populli, në këngët e tij, e ka pagëzuar me emrin e madh “Naim Shqipëria”. Vijon më tej artikulli: “Lasgush Poradeci”, kolos i poezisë shqipe”, - ku portretizohet me nderim dhe dashuri figura dhe personaliteti krijues i Lasgushit të madh, si dhe disa nga krijimet e tij të njohura poetike të ofruara për lexuesin me një muzikalitet tërheqës dhe mbresëlënës. “Koha është e maskarenjve”- titullohet artikulli kushtuar krijimtarisë poetike të Ali Asllanit. Duke perifrazuar poetin, Sejdo Harka shkruan: “Ai ishte i bindur se maskarenjtë dhe “çakejtë”, një ditë, do të rrëzoheshin nga “erërat e kohërave”, si gjethet e pemëve në vjeshtë...” Vijon libri me artikullin homazh: “Lame Kodra, poet i dhimbjes së shpirtit”, ku ndër të tjera, mësojmë fakte që nuk i kemi ditur më parë për Sejfulla Malshovën. Prekës ky artikull dhe me bukuri tronditëse. Sejdo, duke respektuar autorin e librit kushtuar Sejfulla Malshovës, shkrimtarin Niko Tyto, citon: “Kishin dashur ta digjnin si një meteor, që ndriçon vetëm një çast, por nuk mundën ta shuanin dot, sepse ai rrinte me yjet...aty ku  e kanë vendin të mëdhenjtë.”

Interesimin, lexuesi i librit, shpresoj se do ta përqendrojë tek artikulli “Monarku” i letrave shqipe”, në kujtimet e Helena Kadaresë”, artikull ky, me analizë të plotë dhe pikante, që i dedikohet shkrimtarit Ismail Kadare. Në këtë artikull Sejdo Harka fokuson dhe ndriçon më tej figurën dhe personalitetin  e shkrimtarit tonë të madh, krenari për letërsinë shqiptare, Ismail Kadarenë. Mendoj që Sejdo është objektiv në trajtimin e personalitetit krijues të Kadaresë, duke ndriçuar anë që vënë në dukje jo vetëm tipin dhe karakterin e tij, por edhe se  si ai arriti të mbijetojë në kohën e sistemit komunist në Shqipëri, jo me maniera, as me servilizëm, por me rrugën e njohur të artit që vjen që nga lashtësia, duke filluar me përçimin e ideve dhe mesazheve me gjuhën e Ezopit e, deri te krijimi i veprave letrare artistike të drejtpërdrejta dhe pa ekuivokë në dobi të vlerave të demokracisë. Ismail Kadare dhe mjaft kolegë të tij kanë mbijetuar artistikisht duke shkelur në një “fushë të minuar” dhe, siç mund të nënkuptohet, është më e guximshme dhe më e vështirë të shkruash në një fushë të “minuar”, sesa të mos shkruash fare apo të bësh “kritikun” komod. Tek e fundit, historia që është realiste dhe nuk mbanë anë, na rrëfen se,  veprat e mëdha kanë kaluar përmes riskut, vuajtjeve dhe peripecive të mëdha. Ata që krijojnë e dinë mirë këtë. Krijoj përshtypjen që, Sejdo Harka, me analizën e tij na thotë me të drejtë se, ne, shqiptarët, duhet të krenohemi me shkrimtarë dhe artistë të standardit të Ismail Kadaresë, t`i inkurajojmë ata dhe, jo të ndodh si në disa raste, që t`ua vështirësojmë jetën private dhe atë publike me pandehma dhe insinuata absurde dhe të çuditshme. Në vijim Harka analizon librin e  Kadaresë “Darka e gabuar” me artikullin “Misteret e një darke”, “Mosmarrëveshjet e Shqipërisë dhe shqiptarëve me vetveten, në këndvështrimin e  Ismail Kadaresë”, “Hipershkrimtarët dhe “farsa makbethiane” e realizmit socialist”. Ndërkaq, Sejdo vazhdon me një tjetër kolos të letrave shqipe, shkrimtarin e mirënjohur dhe të  respektuar Dritëro Agolli, me artikujt: “Marrëzitë e kohës në humorin e Dritëro Agollit” dhe “Dritëro Agolli, i përndjekuri i dashurisë”, të cilin, me të drejtë autori e cilëson: “Gjeni të letrave shqipe, monument të gjallë të kulturës shqiptare”. Libri vijon me shkrimin “Bedri Dedja, personalitet i letrave shqipe”, ku është analizuar libri “Bedri Dedja në kujtesën tonë”, përgatitur nga prof. Murat Gecaj e ku, me të drejt, për akademikun dhe shkrimtarin Bedri Dedja, nënvizohet se “Ai shkoi të flerë përjetë, por la zgjuar vepra të pavdekshme...”. Një artikull i veçantë është “Lame Xhama, një jetë për lirinë dhe arsimin”, ku portretizohet mjaft bukur “Mësuesi i Popullit” Lame Xhama, i cili “Nuk u nda për asnjë çast nga shkolla, kolegët, nxënësit dhe të gjithë njerëzit”, si dhe nënvizohet porosia e tij: “O njerëz të mirë, jetoni jetën, me punë e dinjitet, deri në orët e fundit të saj”. Pikant janë gjithashtu edhe shkrimet: “Historia në trillin krijues të Ben Blushit”, “Othello, që të mos vriste dashurinë, duhej të kishte vrarë arapin...”, “Shqipëria dhe shqiptarët në optikën e Ben Blushit”...Ndër të tjera, në shkrimin polemik, ku analizon romanin e Blushit “Të jetosh në ishull”, Sejdo Harka shkruan: “Ai është një shpërthim i brendshëm, që zgjoi dëshirën për t`iu rikthyer leximit të librit artistik.”

Në vijim lexuesi do të njihet me artikujt  “Mallkimi i të mallkuarëve”, “Engjëj” që mbyten nga “djaj”, “Ura që lidhin brezat”, “Një autograf nga Skënder Hasko”, - shënime për romanin “6 muaj nga jeta e Besianit”, të cilat nisin me autografin: “Ja ku më ke, edhe kur të mos jem”. Më tej, artikujt: “Akmorte diktatorësh”, “Kur do të vinë fëmijët e dashurisë?!”, “Kur dija vlen për jetën”, “Poezia që shpëtoi nga “Boa e Nankinit”,  “Mesazhe suedeze nga Zonja nga Borasi”, “Syqelqi që mban të mbërthyer “Prometheun”, “Magjia që largon ujqit e gjakmarrjes”, “Zjarre që shtegtojnë në shpirtra”, “Shpirti që hakmerret...”, “Dashuri në kohë të çmendura”, “Një jetë duke shkruar”, “Themelet e rrënojave”, “Drama e dashurisë në faqet e një romani”, “Kur një grua shkruan për dashurinë”,  “Hapësirat e vendlindjes në një vëllim me poezi”,“Emigranti në ditarin e poetit”. Thuajse në të gjithë këta artikuj, autori sikur na çel portën e “një kopshti me lule të freskëta”, na merr për dore dhe na rrëfen me gëzim e pasion vlera të veçanta dhe origjinale të kompozicionit, të stilit, figuracionit, ngjyrimeve  të llojllojshme; zbërthen ide, mesazhe, vë në dukje portretizimin e tipave dhe karaktereve, ngazëllen me bukurinë e disa prej arritjeve artistike, eksploron thellësinë dhe pasurinë gjuhësore dhe figurative të mendimit krijues...

Në pjesën e dytë të librit, autori ka portretizuar disa personalitete dhe shkrimtarë, duke hedhur dritë mbi jetën dhe veprat e tyre, por edhe duke pikturuar me penelata të lehta dhe kolor çaste të veçanta të krijimtarisë, ashtu dhe veçori të letërsisë që ata krijojnë. Kurse në pjesën e tretë Sejdo Harka ka parapëlqyer të botojë disa Esse: “A është çliruar Prometeu?”,  “Laookontët” rrinë me yje”,  “Tej kufijve të legjendës”. Janë esse të realizuara mjeshtërisht, ku aluzioni  është mjaft shprehës, realist dhe mesazh-përcjellës, ndërsa analogjia është e drejtpërdrejtë. Citoj:..Ky është Laookonti, heroi i mitologjisë, i cili rend përmes shekujve, me këmbë të përgjakura dhe me gjarpërinjtë kular në qafë, që luftojnë t`i marrin frymën, vetëm se tha të vërtetën. Po përsëri ai nuk gjunjëzohet. Edhe sot e kësaj dite, e shohim se si lartësohet, jo vetëm mbi shtatoren e Luvrit, në mes të Parisit, por edhe në çdo pëllëmbë të rruzullit tokësor, gjallë mes të gjallëve.”

Duke qartë se me këtë libër Sejdo Harka ka bërë një punë voluminoze shkrimore, jo thjesht duke veçuar vlera shkrimtarësh, por edhe duke dhënë te lexuesi mesazhin se letërsia shqipe nuk ka ngecje apo shterpësi, thjesht ajo ka nevojë për përzgjedhje dhe lexim të veprave. Shkrimtarët  shqiptarë, si dhe i gjithë populli, kanë përballuar dhe kanë mbështetur kalimin nga sistemi komunist në atë demokratik, kanë përjetuar kapërcimin mbresëlënës nga shekulli i njëzetë, në atë të njëzetë e një, si dhe kapërcimin e harkut nga mijëvjeçari i dytë në  mijëvjeçarin e tretë. Ata nuk janë bërë dot biznesmenë, as pronarë; disa prej tyre janë shndërruar prej kohësh në argatë, në njerëz që punojnë fizikisht për mbijetesë, ata qëndrojnë modest dhe me durim e besim për t`u mbështetur më mirë nga shteti dhe shoqëria, presin qoftë edhe një sponsorizim, jo për ushqimin dhe veshjen, por për të mundësuar botimin  e një libri...Zgjedhjet politike  përsëritin “zakonin”, qeveritë venë e vinë, teksa “ndryshimet” shpeshherë shoqërohen nga krijuesit me ankthin zhgënjyes: “Ah, edhe kësaj here s`po bëhet gjë, edhe këta njëlloj si ata që sapo “u rrëzuan” nga karriget e që shpejt do të ulen përsëri në to, duke kaluar nga “porta” tjetër...!Kurse Evropa?Ajo thotë duke nënqeshur:“Keni bërë hapa përpara!”

Pandehma se “sot nuk ka letërsi” është e  pabazuar, nuk është reale. Boshllëk nuk ka, aq më tepër që, më të mëdhenjtë e letërsisë shqipe si Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli vazhdojnë të krijojnë vepra dinjitoze. Të tjerë vijojnë të shkruajnë përkrahë tyre... Libri i Sejdo Harkës e argumenton dhe vërteton këtë. Natyrisht në periudha tranzicioni, edhe shkrimtarët, ashtu si edhe të gjithë njerëzit, kanë nevojën e një periudhe reflektimi, e një “qetësie” krijuese, e një ekuilibri. “Tërmeti” tronditës i përmbysjes së sistemit komunist -shkaktoi një tranzicion të pritshëm, por jo kaq të zvarritur e si të pafund, siç po ndodh dhe përjetojmë, ndërkohë që ky tranzicion është pasuar nga drama dhe tragjedi të pamenduara as nga imagjinatat më të frikshme makbethiane...Periudhat që kaluam apo që po kalojmë, përjetohen edhe nga shkrimtarët. Ata i ruajnë dhe i përpunojnë idetë, mendimet, episodet, ndodhitë, i “mbjellin” ato dhe i përpunojnë në imagjinatën e tyre krijuese, u shërbejnë vazhdimisht derisa nxjerrin produktin e tyre letrar-librin. Ndodh si me bujkun, i cili hedh farën dhe i shërben vazhdimisht tokës që fara të dalë në sipërfaqe, të rritet e të bëhet bimë e shëndetshme dhe të prodhojë”. Me gjithë vështirësitë e shumanshme që shoqërojnë ngaherë letërsinë, krijuesit shqiptarë po ecin më të sigurt, si bijë të popullit, në rrugën evropiane, që është njëherazi vektori i provuar i demokracisë së vërtetë.

Libri  ka dalë në librari për lexuesit, por ai u nevojitet po aq edhe studentëve, pedagogëve dhe mësuesve të letërsisë; është një auditor i gjerë, të cilëve u nevojitet dhe u shërben ky libër. Ndërkaq “Modernët e kohës” është një ndihmesë për letërsinë shqipe dhe kritikën letrare, një rrugë e nisur dhe  munguar e letërsisë dhe publicistikës, që me siguri do të pasohet nga libra të tjerë të këtij zhanri.

Për këtë nismë, për këtë libër, meriton një falënderim të plotë Sejdo Harka, ky njëri i mirë, i ditur dhe i urtë, i heshtur dhe i respektuar për mendimin dhe guximin, për zemërgjerësinë, për sinqeritetin dhe thjeshtësinë me të cilën shkruan dhe komunikon me lexuesin.

Urime dhe falënderime, Sejdo Harka!

Tiranë, 30 gusht 2015

_________________
Shkrimi është dërguar për publikim nga z. Murat Gecaj

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen