Freitag, 19. Februar 2016

Shkërrmoqja e Njeriut

Tregim nga Kujtim Stojku

Sazani qëndronte para tryezës me pasta dhe nuk po vendoste që të hante. Ai u kishte ngulur vështrimin me vëmendje dhe pastaj shikonte me radhë fytyrat që mballaçiteshin përreth tryezës. Ai asnjëherë nuk i kishte konsumuar këto pasta që tani i preferonin shumë. Bile në shtëpinë e tij nuk merrnin asnjëherë nga këto, përshkakse ai nuk i hante. Në këtë tryezë ai ishte i ftuar dhe, siç është zakoni në përfundim të drekës nxirret ëmbëlsirë. Sikur të ishte bakllava, ose një ëmbëlsirë tjetër ai patjetër që do të hante, por këto ai nuk do t’i prekte kurrë. Me gjithë lutjet që iu bënë ai refuzoi duke thënë se vuante nga diabeti dhe prandaj nuk i hante. Ata të gjithë shijonin ëmbëlsinë e pastave dhe bisedonin gjithë gaz. Dikush në anën tjetër të tavolinës pyeti se në cilën pastiçeri ishin porositur këto. Një zë tjetër u përgjigj duke shqiptuar emrin e pasteçerisë “Dafina” dhe,në të njëjtën kohë mori edhe një pastë tjetër. Meqense të gjithë bisedat ishin konsumuar tani bëheshin biseda pa ndonjëlloj rëndësie,si të thuash ishin krejt koti. Një tjetër që ishte ulur në krah të Sazanit pyeti se sa kohë kishte që ishin prodhuar këto pasta të mrekullueshme. Përgjigjia që u shqiptua se nuk kishte as tre - katër orë, jepte sigurinë se ishin të freskëta dhe se nuk kishte pse të shqetësoheshin. Një zonjë e veshur me elegancë me atë zërin e saj melodioz tha se tani në verë po të kalojë shumë kohë nga prodhimi i tyre ata vërtetë janë shumë të ëmbla por ama kthehen në vrasëse të njeriut. Ata pas ëmbëlsirës së tyre që kanë, transformohen pas një farë kohe në helmuese dhe të vrasin pa mëshirë me ëmbëlsinë e tyre, prandaj duhen konsumuar në kohën e duhur. Tre - katër zëra gati thanë me një gojë se të gjithë pastat të helmojnë. Një burrë që ishte tek të dyzetë e pestat i veshur me një kostum me kuadrata i cili kishte shijuar që në rini pushtetin dhe nuk ishte marrë me ndonjë punë tjetër kishte një shije të veçantë.Atij në të vërtetë i pëlqejnë tortat sa një gjoks i madh gruaje. Kur i shihet këto ëmbëlsira në formë gjinjësh ai hante pa u ngopur kurrë ose, siç thoshin ai kishte një uri prej ujku. Ai ata i deshte në një mënyrë krejt veçantë dhe kjo bënte pjesë në shijen individuale të cilën atë e tërhiqte shumë, ishte ajo mënyra se si ata kundërmonin erë. Ishte pikërisht kjo erë që atë e bënte të papërmbajtshëm sa shpeshherë e bënte që të humbëte arsyen.Ai që po fliste duke ia njohur shijet tjetrit befas, filloi që të rritej duke u zgjatur dhe gati sa s’po kapte tavanin.Të gjithë ata që ishin ulur përreth tryezës dhe po shijonin këto pastat e ëmbla dhe të freskëta papritur mbetën me gojë hapur nga ky transformim i menjëhershëm që po shihnin me sytë e tyre, ku ata mbetën me pjatat e vogla prej kristali përpara dhe me lugët mbushur me pastë pa i futur në gojë. Pastaj sytë e tyre panë çudinë e radhës ku ai njeriu erdhi dhe u shkërmoq në mijra toptha të vegjël. Kjo me të vërtetë ishte e pabesueshme dhe askush nuk do t’ua besonte kur ta tregonin sepse ngjarje të tilla as në përralla nuk ishin treguar ndonjëherë dhe jo më të kishte ndodhur me të vërtetë. Një kamariere e re e veshur me një përparse të bardhë erdhi menjëherë dhe i fshiu këto toptha duke i vendosur në një lopatë plastike në të cilën ajo zakonisht e përdorete shumë rrallë ose me thënë të drejtë e përdorte për të vendosur jashtqitjet e e qenit të pronarit që shpesh herë e bënte ku t’i vinte. Por kur kishte raste të tilla qenin e mbyllnin dhe nuk e linin që të vinte në sallën ku po drekonin. Pasi i mblidhte këto jashtqitje të qenit, i merrte dhe i çonte këto toptha larg në një vend pas shtëpisë dhe pastaj kthehej në oborr. Dielli vazhdonte të shndriste si gjithmonë dhe, zonjat si përherë vazhdonin që të lëshonin një erë magjepëse….

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen