Donnerstag, 18. Februar 2016

Sokrat Habilaj - Cikël poetik


1 - NËSE TË MËRZITA

Të mërzita? Ik nga unë për pak kohë.
Mbase diku tjetër do të gjesh qetësi.
Po unë, s'mund të isha ndryshe, apo jo,
Në këtë botë të mbushur gjithë mërzi.

Megjithatë, ik, madje më merr inat.
Dhe në ndjehesh mirë, këtu më mos  u kthe.
Harromë fytyrën si një degë të thatë,
Në pllajën e vetmisë të mbështjell me re.

Larg meje, ti kryeneçe le të më rrish,
pa më shtrirë dorën nëse gjendesh ngushtë.
Po unë, që vij nga bota e mërzisë,
Do ta kuptoj në çast kur ke rënë në kurth.

Dhe do të vij pranë, me pamje krejt ndryshe,
Të mos më njohësh që jam ai i pari.
E dashur, kjo botë, është e mërzitshme,
Nëse të thash ik, s’ta prisha thjesht nga malli.

Kur të ndjesh të  ftohtë, të dridhesh në acar,
Do të vij ngrohtësi në vatër të të ndez.
Dhe ti, duke afruar duart në zjarr,
Do të shohësh pranë teje një eskimez.

Kur nga  zhegu, të përvëlohet kurmi yt,
Një grusht uji burimi, do të sjell s'largu.
E ti do të qeshësh, duke larë sytë,
Se do të shfaqet një fytyrë zezaku.

Unë nuk e di, kur të më shohësh ndryshe,
Nëse do ta  shtysh tutje, ujin a zjarrin.
Kjo botë që gjithçka bëri të mërzitshme,
Nuk di a mundi ta mërzis edhe mallin?

...Po kur buzët të të tundohen për  puthje,
Kë do të kërkosh ti në dallgë dashurish?
Buzët e mia, do t’i gjakos me ndukje,
Veç me fytyrë tjetër, s'të shfaqem ta dish!


2 - DY GJYSMA DASHURISH

Asgjë s’mund të jetë siç ishte më parë,
Sepse kemi brenda vetes diçka tepër.
Një gjysmë dashurie nga ty e vrarë,
Dhe atë që ruaj unë, gjysma tjetër.

Por sot të ndara janë ato, veç e veç,
Ashtu siç jemi të ndarë unë dhe ti.
Tek njeri rri ajo që nuk di të vdesë,
Dhe e vdekura pa një varr tek tjetri rri.

Ndodh rrallë të shihemi në sy të heshtur,
Mbështjellë me urrejtje, mbështjellë me mall.
Unë që s’vrava kam pjesën tënde të vdekur,
Ti që vrave ke pjesën time të gjallë.


3 - RRI DHE PAK ME MUA

Në qiell ndrinë ende e bukur, hëna,
Po ti, rri dhe pak me mua, rri dhe pak.
Nis më çuçuritë ca fjalë të ëmbla,
Do të ikësh? Ikë kur të iki kjo natë!

Unë zgjat dorën e yjet derdh përmbi ty,
Por ditën mbrapsht nuk mundem ta kthej.
Ti më thua, shikomë veç mua në sy,
Ikë prej meje, kur nata të iki andej.

Ikë kur sytë e mi, të mos kenë më terr,
Dhe gjithë yjet, atje të jenë fikur.
Në shtratin e syve, ti në gji më merr,
Ndërsa lë pas, një natë duke ikur.

Ma puth natën, më lutesh si e marrë,
Dhe si kurmin tënd, më hedh natë mbi krye.
Zhvishma natën i dashur, të digjesh ti zjarr,
Hyrë në natën time, të më ndezësh yje.

Pi tek nata ime, të mbytemi bashkë,
Rri brenda natës dhe vdis vetë i dytë,
Mos kërko të ikësh nëse ditë është jashtë,
Ikë kur nata ime, të më ikë nga sytë.


4 - MALLI IM

Ti duhet të më lije diçka, në ikje,
Një grimcë malli, inat, a lot të trishtë.
Se shpirti nuk është thjesht degë pishe,
Ku dashuria rri ca çaste rastësisht.

Nuk ikën dashuria, nuk ikën kështu,
Por kur vdesë, në shpirt mbulohet me dhè.
Tani nëse të kujtohem unë diku,
Bëjë ç’të duash me mallin që lash atje.

Po deshe lere në harresë, tej në skaj,
Dhe kalo pranë tij, thjesht si një e huaj.
Po deshe qeshë me të, a me të qajë
Po deshe, pafajësisht, ti me të luaj.

Po deshe shkele mallin, të mos bëjë zë,
Si hiri i cigareje që sapo u shua.
A në buzët e një tjetri, tallu me të,
Duke i treguar si puthet një grua.

E në ndodhtë të ankohet, mos u trishto!
Unë vet të thash, atë mall e kam tepër.
I thuaj...po s’mund t’i thuash gjë apo jo?
Se ti s’di që unë veç tij, s’kam mall tjetër.



5 - KUR TË IKËSH NGA UNE

Ti do të ikësh nga unë pak nga pak,
Që unë të mësohem me ikjen tënde.
A thjesht të mendoj se do kthehesh prapë,
Muzgjeve të vjeshtës si vegim hëne.

Ti do të ikësh, por mos ikë e gjitha,
Që unë mos ta ndjej se të kam humbur.
A thjesht të më lesh pas ikjes si grimca,
Çdo pore të lëkurës që të kam puthur.

Ti do të ikësh nga unë pak nga pak,
Që të besoj se pendohet dhe vdekja.
A thjesht të gjej shpesh vetëm një shkak,
Për të të thënë sa shumë të desha...!



6 - PËR ATË QË SE MERR GJUMI

Kur thash lamtumirë, se dija natyrisht,
Se unë do të rrija larg jush kaq pak.
Njeriu ka arsye, botës t’i bëjë bisht,
Por për t’u kthyer, nuk gjen asnjë shkak.

Nuk gënjeva kur ju fola fare hapur,
As u tremba të ndjek ata që s’kthehen më.
Ai që kthehet, është vërtet i çartur,
Kush ikën tek të shumtët, nuk bënë asgjë.

Si të tjerët, lash pas dashuri e lutje,
Lash lot që më përgjëroheshin, ktheu!
Po si të kthehesha, qoftë për një puthje,
Kur buzët e mia kishin grimca dheu!?

S’vija, as për ty që lexon këto rreshta,
Ndërsa belbëzon-Erdhi vetëm për mua!
Mos m’u mërzitë se nuk të pyet vdekja,
Dhe kur i lutesh se të pretë një grua.

Nga kjo udhë nuk më kthente as plumbi,
Dhe asnjë dashuri, s’më tundonte në faj.
Erdha se thjesht dikë, netëve se merr gjumi,  
Pa ndjerë frymën time në flokët e saj.



7 - HESHTJA JOTE

Unë mburrem se thur vargje me zjarr,
Ti hesht, por ti dashuron më bukur.
Të matesh me mua, nuk është garë,
Gara me ty është garë e humbur.

Unë shkruaj germa pa fund në letër,
Ti më rimon shenja dhëmbësh në mish.
Unë them, sa ty nuk dua asnjë tjetër,
Ti qeshë a tallesh me mua, ku ta dish!

Unë llafazan si të gjithë poetët,
Ti e kthyer në heshtje, si vetëm ti.
Unë rrëmbej yje të të ndrijë netët,
Ti bëhesh hënë e më merr në gji.

Unë flas kaq shumë, se nuk hesht dot,
Ti hesht, se ti di të flasësh më bukur.
Të matesh me mua, garë e kotë,
Gara me ty, më shumë se e puthur.



8 - ATDHEU S'JU DO VETËM  NËN DHE!

Kujt ia latë Atdheun ju që ikët larg,
Ndërsa luteni:-Veç të vdesim atje!
Po Atdheu nuk është thjesht një shtrat,
Ku mund të prehesh, para ikjes nën dhè!

Kujt ia latë Atdheun, mallin e vjetër,
Kur thoni:-Ikëm, ikëm! Aty jeni ju!
Po Atdheu nuk ka as dhe një tepër,
Të vdekur a të gjallë të enden kuturu!

Kujt ia latë Atdheun, ashtu të vetmuar,
Dhe lotoni:-Atje të prehemi për jetë!
Po Atdheu s'është varrezë e harruar,
Me gurë të bardhë, pllajës së zbehtë!

Kujt ia latë Atdheun, ju që thoni nga larg:
-Na ruani një shtrat, a varrin e heshtur!
Po Atdheu juaj, e mira ju marrtë,
Nuk pretë t'u mbajë vetëm të vdekur!



9 - EJA EDHE SI DHIMBJE!

Ti mos u trishto që unë jam kështu,
S’mund të jem ndryshe dhe po të dua.
Kur dhimbjet e mia, i harroj diku,
Dhimbjet e botës strehohen tek mua.

Ti mos u trishto, kur të shikosh lot,
A nëse dhimbjet më kanë lodhur mjaft.
Mos më merr inat që nuk i ndala dot,
Kur me dhimbjen më hodhën dhe baltë.

Ti mos u trishto për buzëqeshjen tënde,
Se ndoshta mes lotëve, gjendet në pusi.
Po në shpirt për ty, i ruaj ca vende,
Ku askush troket, as nuk hynë njeri.

Ti mos u trishto, eja dhe si dhimbje,
Si do që të vish, unë të pres tek dera.
Nëse nuk sjellë gaz në zemrën time,
Eja zbukuromë gjithë dhimbjet e tjera.



10 - FRYMO DHE PËR MUA!

Kjo që do të them është madhështore,
Ti mos u mërzit pse e mbajta brenda.
Fjalët e mëdha nuk janë flokë bore,
Që të rrëzohen, kur u mbushet mendja.

Ndoshta duhej pritur një tjetër kohë,
Kur ne të dy të mos ishim më të rinj.
Ndoshta duhej pritur që tek ty të shoh,
Puthjet e mia, kthyer në një thinjë.

Ndoshta duhej pritur, të tjera çudi,
Që dhe unë si ti, të flisja me heshtje,
Kur të të shihja sytë, dikur pus i zi,
Si të mitë të dukeshin, në gri vjeshte.

Ndoshta duhej pritur më shumë mall,
Sa asgjë pa ty, mos më hynte në punë.
Ndërsa të shikoja që zbrisje në shkallë,
Të thosha me vete:-Shihni po zbres unë!

Ndoshta duhej pritur, duhej pritur ca,
Që ëndrrat t’i gdhendja me germat e tua.
S’thuhen në çdo kohë, gjërat e mëdha,
Thuhet veç një herë:-Frymo dhe për mua!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen