Freitag, 22. April 2016

Letra si ktyne herësh nga Sabit Abdyli

Sabit Abdyli

1.
Tixhe e dashun,
Sot mora guximin me të shkrue dhe me të thanë se të due shumë, shumë. Dje mbas dreke të pashë tue shkue te kroni. U kënaqa me atë ecjen tande me kërrname e serbez, era si e ftonit në vjeshtë të vinte kur kalove... Ah, sa më rrahu zemra fort!  Bile të prita te bërryli i parë i udhës derisa u ktheve, nuk të dola përpara se thash po na shohin. A të pëlqej sapuni misk dhe mindili që ta çova? Kam me dal këto ditë në qytet me u fotografue te “Foto Beça” dhe  kam me ta dërgue fotografinë. Boll po tutna po ta gjen nana. Fotogafinë tande natën nën jastëk e mbaj, ditën e marr me veti. Shkrujmë menjiherë se mezi po pres!  Letrën lema te dardha e kuqe, mes degëve të saj.
Të fala shumë e ambla jeme si sheqer!

2.

E jemja Tixhe,
U gëzova që e kishe gjet letrën teme. Boll jam tut se mos ndoshta qukapiku e ka marrë se përditë në trup të dardhës po qukat.  A e trokovate patiskën, a po të dalin pejt, fitilat e mnashit, rrotllat me kllapadan? Mos u lodh me ato oja t’shamijave, tentene se kurrkush nuk ta di. Goditi nëpër shoqe se tybe nji dinar që të më bjen në dorë, ty kam me ta çue. Mbramë e dëgjova bushin, (babës bush i tham) tuj thanë nanës se kësmet dasmën po e bajmë qat herë kur ta shtim bereqetin brenda dhe ta mbjellim grunin. Bijat tonat e t’kojshive nji javë ditë përpara kem me i marrë, krejt katundin shpi për shpi kem me i thirr, dy ditë s’kem me i nal tupanet. Me erdh marre kur nisën me fol për dasmën tonë dhe u çova, po në cep të dritares e vuna veshin dhe dëgjova çka folën.  Dje të pashë kur kapërceve te Trina e vogël me kasnak në dorë, që ta kam pas ble në Shkup. Drejt me t'thanë, zemra bum, bum m'bani. Baci ta kish ble maqinen SINGER në Austri, kish me prue tash kur të vjen për pushime.  Me hesap e kanë porosit edhe sahatin e dorës me ta ble atje
 Të fala shumë e ambla jeme si llokum!

3.

E jemja Tixhe,
Fotografitë i mora sot.  A po më rrika mirë kravata e kuqe e setra e zezë, që m’i dha syretxhia  veç sa me u fotografue?  Qesi  kravate e setre kam me i thanë bacit me m’i ble për darsëm. Të pashë atë ditë kur dole prej hallës tane me shkue te shpia. Flokët duej tuat t’i çojë era si fije mnashi fu-fu! Thash, me ditë Tixhja, që po e shoh edhe asaj ju kish dridh zemra si mue. Më humbe para sysh!  Flokët mos gabo me i pre e shti n’struj, veç dredhi pak përpara kur t’bahesh nuse. Bushi me nanën  kësmet javën tjetër po shkojnë n’Prizren me FIAT të bacit Riza me t’i nxjerr teshat, tesha që s’ka me pas asnjë nuse  si tuat këtu pari. Me erdh marre me i pyet a e kanë masën tande me ta ble unazën, këpucët, papuçet, dorëzat e bardha, kollanin e këmishën e dredhët.  Nashti e lanë me fjalë në rast nevoje me i ndërrue.  Prapë po të thamë, mos i jep zor me qëndisë   bashllika e cingli mile tjera se po lodhesh!   Bane gati masën e teshave (mate atë mjedisin e hollë që e ke dhe naltësinë e trupit si selvi) se bushi (baba) ka me ardh me marrë këto ditë. Teshat po donë me ti kep në Shkup te qajo maqinxhika e njoftun.
T‘fala shumë, syzeza jeme llokum!


4.

Tixhja jeme e bukur!
Letrën tande sot e mora. Po mirë e kishe vizatue dorën! Dorën të trash e t’butë si bukë furre.   Hyn ma thellë nën hajat të odës kur po del me qëndisë se po të nxin dielli. Unë ashtu qysh je e bardhë të due. Krejt kanë ra me fjet, unë për dritë të llomës po t’shkruj.  Gjumi më ka ik.  Mendja veç te ti po më rri.  Arkat e  teshave bushi i ka nreq me dru qershie. All të kuqe e pak si me do vija të zeza kanë dal. Nji e dridhme ma përshkoi krejt trupin, kur lexova në letrën tande se jam ma i miri në botë. Edhe unë Tixhe, po të baj be, në tokë e qiell, se je ma e bukura  prej krejt çikave të botës. E bardhë si tamli, flokët  mnash deri në bel, buzët qurshi vishnje, sytë terr të zi, gojën mjaltë e trupin e drejtë qiri.  Bile edhe dada Salë të lëvdoj e të çoi n'hava, jo veç për bukuri. Foli shumë, po unë prej turpit dola jashtë. Zhig me mbeti që nuk e dëgjova deri në fund, dadën.  Erdh gati vjeshta. Ihaaaaaaaa!
Të fala me thes Tixhja jeme e bukur!

5.

Tixhja jeme e shtrejtë,
Dje bushi në pazar i ka ble dy mëzet për darsëm. Ju kemi blue bungur me i trashë edhe ma shumë. Edhe dajtë sigurisht pa dy desh bakshish nuk vijnë. Le të ketë mish, tha bushi, se djalin po e martoj. Njime Tixhe, njiherë martohet njeri. Këqyr ruju, kur po e kapërcen qat vigun te përroska e vogël tuj shkue me mush ujë Te kroni  se boll telhyxhe ish me rrëshqitë! Hajt pashë Zotin, çka po të çojnë veç ty me mush ujë!? Dje i thirri çikat e mahallës nana.  Gjithë mbas drekën në shtatë kojshi u ndegjue kanga e defi,  e kanë kallë krejt.  Zemra mal m’u ba! Mos harro, këtyne çikave me ju qëndisë naj mindil a shami se valla e meritojnë. Javën tjetër kem me i marrë bijat. Le të dihet se po afrohet dita e dasmës.  Baci, ta kish ble sahatin e dorës, kurrë qesi sahati nuk kam pa, në vend të rrypit kish nji zinxhir bojë ari edhe natën po mujshe me pa sa asht ora. Të hanën që shkoi, qat here  kur u lëshuen fëmija prej shkollës, kalova aty pari, po nuk t’pashë. Deri sa nuk shihej ma shtegu kah kalon ti, kryet mbrapa e mbajta. Drejtën me ta thanë, helm u bana. Mbramë, në andërr  të pashë sikur zbrite prej kerrit me fustan të bardhë.  Unë diqysh ardhsha drejt teje, por prej kallaballakit  nuk munda me tu afrue. Hiç mirë nuk asht me pa në andërr kallabllak njerëz.  Mos po te del nja idhnim ty se për veti nuk e kam gajle!
Shumë, shumë të due Tixhja jeme e bukur!

6.

E dashuna shumë, shumë Tixhe,
Unazën me guri të kaltër veje në gisht se boll po tutna po të marrin mësysh.  Kanën, për ditën e kanës, e ka porositë nana nji grue me prue prej Turqisë.  Bash has kanë.  Mos u ban budall me kajt shumë kur ta ngjesin bojën. Këtu mbramje për mbramje mblidhen çikat e mahallës nën hajt të shtëpisë dhe po kënaqen tuj ra defit, këndue e tuj hedh valle deri natën vonë. Bushi ka ble fenerë në Shkup, krejt oborrin dritë e bajmë. Bile nana  gatujti  kollpite për darkë dhe zjeu  shtalba. Sot kesh te terzia n’sheher me i pre teshat për darsëm. Kurrë kësi stofi të mirë nuk kam pa, tha terzia. He bacoo, i thash, stof kanger asht, ma ka ble baci n’Austri.  Mbas nji jave kam me shkue prapë. Tamam qat here para darsmës  bahen gati. Letrën teme  ish kanë për pak tuj ta zanë nana. Nashti nuk të kish thanë gja se edhe ajo e re u kanë si ti. Kallëzom serbez nëse të duhen pare se, helbete ke qef me ble naj sen. Fotografinë tande nuk pata qare pa ua dhanë çikave me pa. Motra e vogël dreqi u kish kallëzue. Me rend e këqyren të gjitha. Mbetën pa mend e pa gojë tuj ba:  ua, au,  çfarë sy paska, çfarë flokë, çfarë bukuroshe...!  Prekne hundën, ju thash, tuj kesh, se po i merrni mësysh. Ajkuna e bacit Dan m’kallëzojë që t’kish pa tuj e marrë nji yrnek te kunata e saj. I lumi ti, tha, çfarë nuse ke me marrë! Ajkuna deshi me fol hala po hyni bushi dhe ajo i nali fjalët.
Tixhe, zemer të kam!

7.

Tixhe e dashun,
Edhe nji javë dita e darsmës. Krejt trupi po më dridhet.. . edhe nji javë po vjen, ah Tixhe, Tixhe...!  Boll ma, boll , dy vjet nën unazë, dy vjet larg, dy vjet me letra tuj i shkrue e lexue tinza (shyqyr kjo e fundit), dy vjet pa gjumë e merak për njeni tjerin, dy vjet sa te bërryli i parë, sa te Trina e madhe me t’pa.  Miqtë e katundin shpi për për shpi i kem thirr, bijat i kem mbledh para nji jave, kerret, kuajt e seksanës, bajraktari që tash dihen, tupanët i kem porositë. Bile edhe grat e kerrit janë caktue. Kazanat,  enët, sofrat, turshit, djathin, gazin për fitilaqa, llampa e fenerë i kem sigurue. Magjetoret në sitë të hollë po e sitin  miellin, t’hollojnë peta për pite e bukë nore. Konaqet, hyzmeqarët  te gatshem jane me ja nis punes. Teshat  i mora dje.  Mbramje për mbrëmje po mbyllna në dhomë dhe po i veshi me pa qysh po m‘rrinë. Të mira valla. Hajt se të dielën mbrama ke me pa edhe vetë sa të mira janë.  A e ke çel arkën e teshave. I pashë kur i paluen nana me hallën Nurkë. Ani shtinën edhe dy-tri grushta sheqer gurë në arkë. Ti e mirë, teshat e mira, ke me ua kalue krejt nuseve të kësaj ane edhe ma larg. Të shtunën nisin me ra tupanet, dy parë tupane! Të nesërmen krushqit kah dreka mbërrin te ti.  Dhe ty,  mbasdreke bushi (baba) ka me të zbrit prej kerrit t’kuq. Ah, sa kisha dashtë unë me t’zbrit, po ...!   Daja Trim e baci kanë me qit me allti bam, bam me paralajmërue se erdh nusja. Të hanën para dite Tixhe dajallarët, nipat e njerëzit e shpisë kanë me thye kulaçin. Ke me dal te bunari pak ma vonë, tuj të këndue çikat. Ju ka thanë nana, nuk due me ma sha e ranue me naj fjalë nusen, po edhe t’shajshin ti mos u ban merak se qashtu i provokojnë krejt nuset.   Mbas dite mblidhen grat, nuset e çikat. Tash po e marrë me mend dhe po të shoh në rend të nuseve, ti e para dhe ma e mira se krejt.
Tixhe, loçkë, shpirt e zemër t’kam!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen