Sonntag, 17. April 2016

Recital nga Ali Sh.Berisha

Me punën vetmohuese të mësuesit mbijetoi qenia jonë kombëtare në Gadishullin Ilirik dhe jashtë tij. Qofshin të bekuar para popullit dhe zotit të gjithë mësuesit e ndershëm qofshin gjallë a nën dhe!


MËSUESI
(Recital)

Ata që mbollën terr
Duke shkatërruar çdo gjë me vlerë
I thanë botës për ne
Se jemi të paqytetëruar

Ç’paturpësi

Fqinjët që arritën nga Siberia
Në Gadishullin Ilir
Mbollën vdekje
Edhe natë
Në Evropë
E dogjën dhe e përvëluan
Qytetërimin më të lashtë

Ç’paturpësi

Dhe bota e “qytetëruar”
Mbylli sytë
E s’dëgjoi për dy mijë vjet
Qëndresën
Dënesën
Rënkimin
Golgotën
Për njeriun e pambrojtur
Për tokën

Po a turpërohet ai që s’ka turp
E mirësi
Duke shkatërruar një civilizim të vjetër
Si mund të krijohet një I ri
Kush ia fali Evropës qytetërimin
Kush ia ruajti gjumin
Kush ia ruajti agimin

Ushtima shekujsh arrijnë deri te ne
Me të vetmën fjalë
Atdhe
Mësues
E na flasin për një diell
Një dritë
Një qytetërim antik
Ilirik

Vallë cila është gjuhë e zotit
Gjuhë e krishtit a motit
Që si gurrë kristali rrjedh pa pra
Nga majë shqipesh për në va

Derisa mallkuan shkronjat
Gjuhën tonë
Paskemi pasur edhe mësues
Mësuesin tonë
E mësuesi ynë shpjegon në orë të mësimit
Për libra
Për shqipen e folur edhe para Krishtit

Ushtimë shekujsh deri te ne
Mbi ilirë sjellin re
T’i mbulojnë me terr
Me dhe

Gjarpërinjtë me fjalën e zotit në gojë
Me kryqe e hajmali në gjoks
Na helmuan
Na mallkuan
E na vranë
Po ne si Feniksi
Sërish u rilindëm
Bashkë me shkronjat e gjuhës sonë

Mësuesi ynë
E bëri Krishtin
Muhamedin
Edhe Ajnshtajnin të flasin shqip

I përflaku shkollat
Gjuhën
Shkronjat
Që të na ngrohë diell i lirisë
Që të na shpjerë përpara dritë e diturisë

Një xixë mjafton të lindë flaka
Mes gurëve të hyjë drita
E të flaket nata

Ne kurrë s’qemë pa shkollë
As pa mësues
Odat i patëm vatra të diturisë
Baballarët mësues të historisë

Lumja ti Janjevë qofsh e bardhë
Ndër të parat i dhe dritë Kosovës
I the troç botës
Se s’jemi turq as grekë
As serbë e as bullgarë
Po bij të kësaj toke
Bij të shqipes
Shqiptarë

Cicërimat e kolopuçve nëpër banka
Rrëshqasin me “Evëtarin” në dorë
Me Abetaren shqip
Mësojnë historinë e këtyre trojeve
Që flasin shqip

Për fushën e lumenjtë
Për Alpet shqiptare
Këndojnë këngë djepi e këngë dasme
Këngë vdekjeje e krenarie
Balada e këngë kreshnike
Këngë për kapedanë
Kulla
Gurin e shpuar
Për bajlozët që më parë të dënuar
Për diellin dhe dritën
Për lulen dhe rritën

Sot s’kemi vetëm një shkollë vashash
Po përplot fillore 
Të mesme
Gjithëmësonjëtore
Që si kepështie me lule
Në këtë pjesë të rrudhur të Ballkanit
Nga terr mesjete
Mu si nektarin që bletët mbledhin
Nga prangat shekulore me dituri
Lirinë plotë dritë e nxjerrin

Për një fjalë të shkruar shqip
Të vritnin
Të burgosnin
Ushtimë shekujsh vijnë deri te ne
Me ngritje dhe rënie
Dhe ngritje
Me përpjekje për një botë të re

I dashuri mësues
Një fjalë e shkruar shqip
Bëhej top
Një shkronjë shqip
Bëhej plumb

Një fjali e shkruar shqip pardje
Një fjali e shkruar shqip dje
Dhe sot e shkruar një
Krijuan tonën histori

I dashuri mësues
Kot përpiqet djall i territ
Të ndalojë diellin mbi çati
Se rrenat e të mjerit
I varrose
I dogje
I bëre pluhur e hi

Çudia lind çudi
Fëmijët më parë kërkojnë libër se bukë
Më parë kërkojnë laps se këpucë
Më parë kërkojnë fletore se rroba
Më parë kërkojnë dituri se gjumë
Urinë e shuajnë me gurë
E etjen me dituri

Sot fjalë e jonë e shkruar
Dëgjohet anekënd botës
Me të vërtetën që si lule në pranverë
Me nectar e ylber
Plagët kuron

Tani çdo shtëpi ka mësues
Çdo shtëpi u bë shkollë
Edhe pse terri herë pas herë hyn në klasa
E nxënësve u vjedh mësuesin
Që t’ua vjedhin diturinë
E ngrohtësinë
Sikur nuk e dinë
Se mollë e ndaluar
Është më e shijshme se mollë e dhuruar

O mësues

Tek po shkruaje në tabelë
I dashuri mësues
Një fjali fare të thjeshtë
Të gjenden kryefjalë e kallëzues
Pa trokitur fare në derë
U mbush klasa me errësirë
Përnjëherë

I ngjeshëm radhët fort në banka
I munxonim këto fantazma
Tek të shihnim në dysheme
I dashuri mësues
Si të lidhnin
Të shanin
Të rrihnin
Dhe të ndiqnin
Larg nga tabela
Fjalia e thjeshtë
Pranvera

I dashuri mësues
Na shikoje e na flisje
Se kryefjalë është liria
Se kallëzues jemi ne
Në zemrat tona të mos ketë vend frika
Nga këta çakenj që s’duan dritë
Që terrin e kanë fole

I dashuri mësues
Në ecje të shtynte nata
Po ti dëgjoje tek të fliste Kulina
Dhe nxënësit nga prapa
Që qëllonin me gurë terrin
Se fjalinë e thjeshtë në tabelë
Do ta kemi rritë
Për pranverë

Fjalë e afërt dhe e ngrohtë
Që nxjerr dritë
E s’lë dimër as terr
Në këtë tokë
Ku i thuhet bukës – bukë
E ujit-ujë
Ku s’durohet zot shtëpie
Një i huaj

Barrë të rëndë i ke vënë vetës
Mësues
Qe dy mijë vjet je nisë drejt pranverës
E ti e di se arritja është e domosdoshme
Duke kaluar nëpër vdekje
Deri te lindja

Sikur që s’ka pranverë pa dimër
As verë pa pranverë
S’ka as lindje pa vdekje

Nëpër shekujt e errët
Je nisur të japësh dritë
Të kushtrosh
Gjumashët e të nënshtruarit t’i zgjosh
Të ngritesh mbi vdekje
Martir
Qëndresë 
Dritë

Të na shpëtosh nga vdekja
Në Ballkanin plot mynxyrë
Me vdekjen tënde
Me zjarrin tënd të pashuar për liri

As rëniet nuk të mposhtën
Ato veç sat a ndalën pak turrin
E ti sërish nise vrapin deri te e sotmja
Për të nesërmen
Me bark të zbrazur për një kafshatë buke
Me etje në sy për liri
Gjithnjë me vdekjen përballë
Gjithnjë për dritën mallë
Gjithnjë me penë
E pushkë
Gjithnjë për liri I pari krushk

I dashuri mësues
Kush po t’I vjedh buzëqeshjet
Aromën
E lulet nga kopështi yt

I dashuri mësues
Ku e ke Fidanin
Ylfeten
Afrimin

I dashuri mësues
Hije të zeza
Nëpër breza
Lulet po t’I këputin
Buzëqeshjet po t’I ngrijnë
Po ti
Me t’u shmangur një
Mbjell dhjetë
Që pasnesër të çelin lulegjak
Krejt flamur

Shkronjat tona më të bukura
Më të ndritshme
Më të çmueshme
I bëri gjaku yt I derdhur në ditar
Në altar
Se ferrfantazmat për dy mijë vjet
Të prenë në pritë
Që të harbojnë
Lirshëm në truallin tonë

E ti si Feniksi
I dashuri mësues
Nga vdekja u ktheve në jetë
Që sërish të hash tullumbat e Lulit
E Luli t’I kapërdijë fjalët
Shpresë

Mësues
Shkronjat tona si copa dielli
Të përshkruara nëpër ylber
Në sytë tanë I hedh
Në fletoret krejt si qielli
Në libra
E në tabelë
Të tëra të zjarrta
Të tëra dritë
Përë pranverën rritë

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen