Samstag, 21. Januar 2017

Këndellja folklorike e shqiptarëve

Petrit Kuçana
Nga Petrit Kuçana

U këndellën edhe njëherë shqiptarët në këtë fillim viti, krejt si i dehuri që u gjend para tre fakteve (gati) të pabesueshme dhe këtë këndellje s’mund ta bënte askush më mirë se Beogradi. Nëse muri në Mitrovicë u “end” ditën e natën muri dhe u prit ndonjë deklaratë nga Brukseli apo ndërkombëtarët, arrestimi i Haredinajt i shkundi shqiptarët, edhe ata që besonin se Serbia tashmë ishte evropianizuar dhe ishte partnere e paqes dhe se dialogu Prishtine-Beograd kishte  bërë mrekullinë e madhe. Mbase ka qenë tronditës ai treni i famshëm  “Kosova është Serbi” made in Rusia, i kuruar deri në detaj, që shkoqiti ca të vërteta t mëdha të fshehura nën petkun e përgjumjes shqiptare. 

 Në të vërtete deklaratat për luftë të Beogradit, ndotën edhe kostumet e mirëmbajtura prej kaq vitesh të kozmopolitëve të Prishtinës e Tiranës, që u gjenden krejt gafil në këtë situatë dhe mbase u duhet pak kohë për të fshirë avujt e marrëdhënieve “asnjëherë më të mira shqiptaro- serbe” në syzet e tyre.  Zhvillimet e fundit duket sikur përkojnë qartas me një shabllon të tipit “s’keni parë gjë akoma” që nis me “paralajmërimin e fundit” të Beogradit, që na qenkërka provokuar rëndë. 
 Treni nuk u fut në Mitrovicë dhe kaq mjaftoi që të thyheshin statuset e rrjeteve sociale, me foto e video nga më të paparat, e madje majde deri tek këngë e ahengje që i marrin të keqen çdo folkloristi. Me tone të papara lavdërohen politikanë e pushtetarë, nga Prishtina në Tiranë, e për të vijuar me luftën nëpër deklarata se kush foli më bukur, se kush ia përplasi në fytyrë serbëve më bukur.

Një këndellje tipike turbofolk shqiptare ndërkohë që duket e pamundur të kuptojmë dështimin  tonë total si faktor. E ndërmend na vjen ndonjë deklaratë e ndonjë diplomati se shqiptarët po i humbin miqtë... Andej nga Tirana i kemi kryer të gjitha “obligimet kombëtare”, por thjesht të zënë me ca punëra dekriminalizimi për ca tipa që na u gjenden në parlament, që na paskërkan qenë të përfshirë në veprimtari të pahijshme, e lajmet që mbizotërojnë janë për ca tipa të tjerë që paskan bërë para të madhe. 

Kemi bërë plot dy mbledhje të përbashkëta të dy qeverive shqiptare në Prizren dhe Tiranë dhe kemi publikuar foto fantastike të tyre, kanë thyer rrjetet sociale, që mu në Beograd u kemi thënë serbëve se Kosova është e pavarur, se sa herë e lyp nevoja qëndisim deklarata të papara, duke çuar peshë zemrat e shqiptarëve.
  
Nuk na bën shumë përshtypje ndonjë deklaratë e dhomave të tregtisë së Shqipërisë dhe Kosovës se produktet serbe po pushtojnë tregun shqiptar, dhe s’na bën fare përshtypje edhe ndonjë lajm për kapjen e mallrave kontrabandë mes dy shteteve tona.  Është kaq normale që në një ditë të dëgjosh një lajm se një banor i rrethit të kufirit është kapur me rreth dy kuintalë mollë kontrabandë që e çonte drejt Kosovës, ndërkohë që në Korçë fshatarët në mënyrë demostrative i hedhin mollët në përrua pasi nuk ka treg për to. 

Platformë për bashkim ekonomik, për integrim tregu nuk e kemi bërë, se mallrat serbe janë të lira, se bash në krye të punëve i kemi ata që përfitojnë më së shumti nga kjo tregti dhe s’ka si të ndodhë ndryshe, vetëm të pajtohemi shifrat marramendëse të tregtisë shqiptaro-serbe, e pasi të konsumojmë mallrat serbe, që kanë mbushur tregun shqiptar o burra, kush bën statusin apo deklaratën më të bukur kundër tyre.
   
Por ama kombëtar jemi. Në tërë këto vite ne kemi bërë abetaren e përbashkët të unifikuar dhe as që na shkon ndërmend qoftë edhe të pyesim të parët e bajraqeve tona, për rezultatet konkrete të marrëveshjeve të nënshkruara mes dy qeverive shqiptare. Se mos guxon kush të jetë skeptik, pasi tani që po vendoset taksa e Rrugës së Kombit (vetëm) 10 euro, punët do i kemi më mirë dhe se nuk shqetësohemi shumë se mund të gjejmë ndonjë arritje që është për t’u shënuar thuasje në asnjë fushë të jetës, të paktën në ato fusha ku qeveritë vendosin.  Nuk e vëmë ujin në zjarr dhe as nuk befasohemi kur tentojmë të këndellemi se nuk ka një fushë jetësore ku bashkëpunohet, qoftë edhe në art, kulturë se në ekonomi s’bëhet fjalë, se nuk kemi mundur të hartojmë qoftë edhe një strategji, për “përafrim” madje gati-gati desh krijuam edhe kombin kosovar...

Të përhumbur u gjendem edhe kur bie fjala “humbëm” mikun më të madh në BE, Britaninë e Madhe dhe dështuam qartësisht në rrugën e integrimit drejt Evropës, dukë ndërtuar “shtetet që nuk duam” më të korruptuarat, më të varfrat. Nuk mundëm të shfrytëzojmë mbështetjen e pakufishme të botës, madje u harruam dhe nuk po dimë të gjendemi në situatat e reja të krijuara, duke vazhduar vetëshkatërrimin, ndërkohë që Serbia gati gati po kërkon haptas Veriun e Mitrovicës. Çfarë u bë me Preshevën? Nejse nga andej kemi foto të bukura të kryeministrit, dhe derisa të zbrazen ato troje shqiptare, nuk do të dale “ndonjë lajm” prej andej. Modeli kroat mbetet i paadoptueshëm, pasi na duhen ato fotot me kryeministrin e Serbisë... 

U arrestua Ramushi dhe mbahet në Francë, e shpërthyen demonstratat shqiptare anë e mbanë botës ku ka mërgimtarë e shumë pak dihet për lobingje të njëmendta, aq më tepër në këto kohë kur më shumë se kurrë do të na duhen miqtë, sërish, edhe ata që kishim, edhe ata që mbase në këto kohë i harruam, apo nuk u kujdesëm që të zhvillojmë ato strategjitë e domosdoshme që në momentet dhe çastet qiellore, kur e gjithë bota ishte me ne. Diplomacia jonë vazhdon të perceptohet si punësim zakonisht i të afërmve të pushtetarëve.  Njohjet e reja të Kosovës?! Mund të ketë edhe të tilla. Thjesht shqiptarët vazhdojnë të mbesin më të varfrit e Evropës me klasat politike më të pasura, qoftë edhe nga tregtia me serbët dhe Serbinë, me dy akademi shkencash dhe pa asnjë platformë, me rininë e papunë që largohet dhe pa asnjë projekt , pa asnjë sinergji ndërshqiptare, (përveç projektit të madh të taksës së Rrugës së Kombit) dhe sinergjinë fejsbukiane, ndonjë kënge patriotike e ndonjë simboli kombëtar që sjell përgjumje derisa Serbia na rizgjon, na këndell e duket se këso rastesh do të kemi shumë.

E kur Serbia të na këndellë sërish mbase do të jemi vonë, për gjithçka, në gjithçka...

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen